Fillimi / Aktualitet / Kronikë / Durrës/ Lirohet nga burgu, trafikantit i bëjnë atentat

Durrës/ Lirohet nga burgu, trafikantit i bëjnë atentat

Saimir Gjepali, 42 vjeç, nga Shijaku, u qëllua me armë zjarri pak metra larg banesës së tij, teksa ishte duke u kthyer me mjetin e tij “Range Rover”.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 02:20, në lagjen “Ballias”, Shijak, ndërsa autorët i kanë zënë pritë, raporton “Panorama”.

“Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në rrugë, rreth 30-40 metra, pa shkuar në banesë, shtetasin S.Gj., 42 vjeç, i cili është plagosur lehtë në dorë (pjesën e parakrahut). 42- vjeçari ishte duke u kthyer në banesë me mjetin e tij, tip “Range Rover”, me targa AA 580 MS”, bëri të ditur Policia.

Fatmirësisht ai ka mundur t’u shmanget plumbave, duke e kaluar atentatin vetëm me një plagosje të lehtë në pjesën e parakrahut. Pasi ka marrë mjekim në Spitalin Rajonal të Durrësit, ai është larguar për në banesë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë, të cilët kanë këqyrur vendin dhe mbledhur provat materiale, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të kalibrit 9 mm. Nga hetimi paraprak rezultoi se 42- vjeçari ka qenë i dënuar me 7 vjet burgim për veprën penale “trafikim të lëndëve narkotike”, dhe është liruar në vitin 2012. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Durrësit po vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Krahas hetimeve intensive, policia nuk ka ende një pistë të saktë mbi motivin e këtij atentati. Mësohet se disa vite më parë, Gjepali ishte pjesë e një organizate kriminale për trafikimin e heroinës nga Shqipëria në Itali, e cila u shkatërrua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Antimafia italiane.

Grupi shqiptar që përbëhej nga 5 shtetas nga zona e Shijakut, kishte mundur që gjatë viteve 2003-2004 të dërgonte në brigjet italiane sasinë rekord të 488 kg heroinë. Të rënë në gjurmët e aktivitet kriminal të kësaj bande, fillimisht hetimet për shkatërrimin e saj nisën nga Antimafia italiane dhe më pas ato u shtrinë edhe në Shqipëri, ku veprimet hetimore kryheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Pas një koordinimi të suksesshëm të informacionit me palën italiane, Krimet e Rënda arritën të arrestojnë dhe të dërgojnë si të pandehur në Gjykatë një pjesë të anëtarëve të kësaj organizate kriminale. “Nuk dihet nëse atentati ka të bëjë me të shkuarën kriminale të Gjepalit, apo ndonjë konflikt me persona të tjerë kohët e fundit, por po hetohen të dyja pistat”, bëri të ditur Policia.

Comments

comments

Rreth Kl Ma

Gjej gjithashtu

Rrëfehet roja privat: Mund ta kishim shmangur grabitjen spektakolare në Rinas

Pas arrestimit të 5 punonjësve të policisë private “Jaguar”, të cilët shoqëronin shumën e parave …