Fillimi / Aktualitet / Politikë / Takimi Berisha-Lu, tre “thika në shpinën” e Bashës

Takimi Berisha-Lu, tre “thika në shpinën” e Bashës

Ato që u thanë në një orë takim midis Berishës dhe Lu-së përbëjnë goditjen më të rëndë personale ndaj Lulzim Bashës, që prej ngritjes së “kampingut” të tij përballë Kryeministrisë në 18 shkurt.

Në kushtet kur edhe Presidenti Nishani e ka shpallur qartë pretendimin e tij për fronin e PD-së pas largimit nga Presidenca, takimi i sotëm i ka shkaktuar Bashës tre plagë, nga të cilat vështirësisht mund të rikuperohet në tre muajt që i mbeten për të shpëtuar pozicionin e kryetarit “de jure” të PD-së.

Plaga e parë, ishte takimi në vetvete. Duke takuar Berishën dhe jo Bashën, Lu bëri të qartë edhe një herë më shumë se cili është lideri i vërtetë i PD-së për SHBA-të dhe për opinionin ndërkombëtar.

Plaga e dytë. Basha ka një muaj që çirret dhe thotë se nuk “do të ketë zgjedhje me krimin”. Nga ana e tij Berisha del dhe thotë: “Opozita, përpara zgjedhjeve që do të zhvillohen, përballet me një mal me para droge”. Me gojën e tij, lideri historik i PD-së ridikulizon pasardhësin e tij, duke e kundërshtuar publikisht dhe duke treguar edhe një herë më shumë, se kush është njeriu i vërtetë që merr vendime të kësaj rëndësie brenda partisë.

Plaga e tretë. Me qëndrimin e tij paqësues, duke thënë se opozita do të futet në zgjedhje dhe se PD mbetet e hapur për bashkëpunim, Berisha qëllimisht bën të duket qesharak përshkallëzimin që Basha po tenton të realizojë, duke theksuar se s’do të ketë veting, duke premtuar luftë, duke i kërkuar militantëve të kryejnë veprime të dhunshme, e duke sulmuar figurat ndërkombëtare që tentojnë ndërmjetësimin. Ndryshe nga Basha, duket se Berisha ka hartuar tashmë në mendjen e tij një rrugëdalje nga çadra, një rrugëdaje të njëanshme që do të kryejë i gjithë lidershipi i PD-së nën udhëheqjen e Berishës, duke lënë të vetëm brenda çadrës liderin e tyre.

E fundit që bie në sy, janë edhe dy përceptimet krejt të ndryshme që Berisha dhe Basha kanë për situatën. Nëse lideri “de jure” thotë se po protestojnë për votën e lirë, lideri “de facto” i renditi Lu-së kriminalitetin dhe kapjen e administratës si arsyet e protestës. Pas më shumë se një muaji “kamping” pranë Kryeministrisë, a mundet që dy personat më të rëndësishëm të PD-së të mos jenë në një mendje për arsyet që i kanë shtyrë të protestojnë?

Ka edhe një element të fundit. Qëndrimi i Berishës, është i njëjti qëndrim që ka adoptuar edhe Nishani, së bashku me figura të tjera me influencë që njihen si kundërshtarë të Bashës, përfshi ish-Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli apo ish-Ministrin e Financave, Ridvan Bode. A është me të vërtetë rastësi anti-Basha i Nishanit, presidentit të vetshpallur kandidat për kreun e PD-së pas humbjes së 18 qershorit?/Lexo.al

Comments

comments

Rreth dnal

Gjej gjithashtu

Çështja Tahiri, pas SHBA-ve Basha braktiset edhe nga partitë e djathta europiane

Dy ditë pasi ambasadori amerikan, Donald Lu dhe zëvendës asistent Sekretari i Shtetit për rajonin, …