Fillimi / Jete / Dossier / Dokumenti i ri i CIA-s: Kur jugosllavët nxitën sherrin mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehun në vitin 1952

Dokumenti i ri i CIA-s: Kur jugosllavët nxitën sherrin mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehun në vitin 1952

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu prej vitesh kanë qenë në luftë të vazhdueshme mes tyre. CIA ka zbardhur dosa dokumente për situatën në Shqipëri në vitet 1949-1955 dhe përveç zhvillimeve të ndryshme politike, përmendet dhe lufta mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës. Sipas dokumentit, në mes të tyre ishte Moska ku dhe në qeverinë e saj ministrat ishin rreshtuar pro Hoxhës dhe pro Shehut. Aty tregohen ankesat që u bënë në Rusi, ndërkohë që në fund Moska mbajti krahun e Hoxhës.

Mars 1949

Riatdhesimi i 97 shqiptarëve me anije

Anija Dolores me flamur panamez, u nis nga Genoa në Itali drejt Vlorës në 9 tetor 1948, me ’97 pasagjerë shqiptarë që po riatdhesoheshin nga Australia. Shqiptarët kishin ardhur nga Australia në Itali më 23 shtator nga Australia me anijen britanike Strahnaver. Fillimisht Dolores ishte një anije me ekuipazh grek prej 27 njerëzish, dhe kapiteni Gladouris refuzoi të lundronte drejt Shqipërisë me të rinjtë që sipas tij ishin të gjithë në moshë ushtarake dhe mund të përdoreshin për sulmet e guerrilasve komunistë ndaj Greqisë. Anija nisi lundrimin vetëm pas zëvendësimit të ekuipazhit me italianë. Dokumentet e Dolores thonë se nga 97 pasagjerët, 72 ishin shqiptarë dhe 25 ishin australianë të natyralizuar. Në listë përfshihen dhe emrat e pasagjerëve.

Nëntor 1950

Aktivitetet e shqiptarëve të emigracionit

Komiteti i Shqipërisë së Lirë

Siad Kryeziu, Zef Pali dhe Caqi Gogo kanë kryer takime me zyrtarë të ministrisë së Jashtme greke dhe sekretarin Panajotis Pipinelis. Këta anëtarë të Komitetit të Shqipërisë së Lirë kërkuan aprovimin grek për ngritjen e një kampi në veri të Greqisë ku të silleshin agjentë shqiptarë nga emigracioni. Delegatët thanë se kampi do të shërbente si një bazë për misione inteligjence dhe operacionale në Shqipëri. Pas diskutimit të çështjes e zyrtarët e lartë grekë, u dha aprovimi nga ministria më 4 nëntor 1950. Më 3 nëntor Kryeziu, Gogo dhe Pali dhanë një darkë për 25 anëtarë të kampin të refugjatëve në Lavrion. Aty mbajti një fjalim drejtuesi i Ballit Kombëtar Muharrem Bajraktari

Korrik 1952

Kufiri me Jugosllavinë

Shqipëria ka marrë masa për forcimin e kufirit verior me Jugosllavinë. Deri para nëntorit 1951 kishte vetëm nëntë batalione ushtarake kufitare, pesë nga të cilat ishin dislokuar në kufirin jugosllav në Koplik, Tropojë, Kukës, Peshkopi dhe Pogradec. Një tjetër batalion i është shtuar njësive kufitare për mbrojtjen e instilacioneve të paspecifikuara. Çdo batalion ka rreth 450 njerëz dhe në total llogaritet se kufiri Shqipëri-Jugosllavi ruhet nga rreth 2250 njerëz. Kufiri ruhet me anë të posteve, patrullave dhe njësive të veçanta në ura, pika komunikimi dhe në qytezat kufitare. Njësi zbuluese zakonisht qëndrojnë të fshehura në pikat kufitare që dihet se përdoren nga shqiptarët për t’u arratisur drejt Jugosllavisë. Gjatë muajve të verës patrullat vendosen në pikat ekstreme të kufirit, në poste dhe pika vrojtimi. Ndërsa gjatë muajve të dimrit njësitë janë më të tërhequra në brendësi. Taktikat e ruajtjes së kufirit bazohen në grackat e zbulimit në pikat strategjike dhe në patrullat e lëvizshme. Trupat kufitare u riorganizuan në fund të vitit 1951. Komandat e kompanive u anuluan dhje skuadrat e rojeve u vunë nën komandën e batalionit.

Aktivitete rezistence

22 – 29 mars 1953

Dy oficerë shqiptarë që kohët e fundit u arratisën në Greqi raportuan se që prej vdekjes së Stalinit, rezistenca ndaj regjimit të Enver Hoxhës është shtuar. Në të gjithë Shqipërinë ata thanë se ka grupe guerile që sulmojnë çdo ditë ushtrinë komuniste. Kur u pyetën nëse këto grupe guerile ishin të afta të rrëzonin regjimin, oficerët u përgjigjën se pozitivisht. Ata shtuan gjithashtu se një numër gjithnjë në rritje oficerësh po arrestoheshin për arsye të disfatave të shumta të ushtrisë me këto grupe guerile. Oficerët thanë se qendra të reja inteligjence ishin ngritur në Peskovica, Pogradec, Tropojë dhe Shkodër. Burimet raportojnë dhe për akte serioze kabotazhi në punën për ndërtimin e hidrocentralit të Matit. Këto të fundit kanë sjellë arrestimet e rreth 100 personave, ndërsa popullsia fshatare e zonës është e ndaluar të lëvizë lirisht në rajon.

Maj 1955

Avionët sovjetikë

Tre avionë MIG 15 dhe tre pilotë sovjetikë kanë fluturuar nga baza ajrore e Tiranës mbi kryeqytet. Në aerodrom janë dalluar dhe 15 avionë gjuajtës njëvendësh me një motor dhe 5 avionë dyvendësh. Rreth 10 avionë të tjerë sovjetikë kanë ardhur në Shqipëri bashkë me pilotët sovjetikë, në një mision gjashtë-mujor për trajnimin e pilotëve shqiptarë. Në fund të prillit në Tiranë u ngrit drejtoria anti-ajrore e drejtuar nga gjeneral Gjin Marku, i cili më parë ka qenë komandant i ushtrisë në Elbasan. Njësitë përfshijnë artileri anti-ajrore, njësi zbulimi ajrore, përfshi dhe radarë. Prej marsit 1955 një regjiment i paidentifikuar anti-ajror në Tiranë, është pajisur me dhjetë njësi radari, gjashtë prej të cilave ndodhen në aerodromin e Tiranës. Radarët janë tre tipe, secili me rang të veçantë zbulimi. Njëri është me rang 500 km, një i dytë rreth 30 km, ndërsa tipi i tretë është i paspecifikuar. Secili nga radarët është montuar në kamion Ziz. Në mars 1955 katër oficerë sovjetikë dhe tetë ushtarakë të tjerë u caktuan për pesë muaj në regjimentin e Tiranës për të trajnuar operatorët e rinj të radarëve.

Koment: Gjeneral Gjin Marku është komandanti i shkollës së Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Në 1945 Marku ka studiuar në shkollën ushtarake Voroshilon në BRSS. Ai mbaroi studimet në 1948 dhe vitin e kalaur u emërua drejtor artilerie në ministrinë e mbrojtjes. Në vitin 1949 ai u bë major-gjeneral dhe u emërua në krye të Trupave të Lufitmit në ministrinë e mbrojtjes.

Dhjetor 55

Burgu i Burrelit

Burgu i Burrelit mban rreth 400 të burgosur. Drejtori i tij është njëfarë Metan, kurse drejtuesi kryesor pas tij është një agjent i Sigurimit, i quajtur Jorgo Jaçe nga Gjirokastra. Burgu ruhet nga rreth 50 njerëz. Shumica e të burgosurve janë të burgosur politikë. Mes tyre rreth 100 janë zogistë, rreth 150 mbështetës të Ballit Kombëtar dhe rreth 150 nacionalistë, duke përfshirë dhe mbështetës të Gjon Markagjonit si Mustafa Kruja dhe Ismail Vërlaci. Anëtarët e këtyre grupeve politike ndihmojnë njëri-tjetrin sa munden duke ndarë ushqimin e pakët dhe duke mbajtur të gjalla interesat e tyre politike me anë të diskutimeve të fshehta. Zogistët kryesorë janë Enver Hasa, Ethem Cara dhe Dul Hoxh. Ballistët kryesorë mes të burgosurve janë Kudret Kokoshi, Abdullah Rahmi dhe Koço Tasi. Me gjithë diferencat e opinioneve mes zogistëve dhe ballistëve, ata të gjithë mbështesin Komitetin e Shqipërisë së Lirë, edhe pas lajmeve dekurajuese që vijnë herë pas here mbi mosmarrëveshjet mes fraksioneve të Komitetit. Të burgosurit favorizojnë një qeveri koalicioni nëse regjimi aktual përmbyset, ndërsa jo të gjithë pranojnë rikthimin e mbretit Zog. Nëse do të mbahej një referendum Zogu besohet se do të fitonte rreth 70 për qind të mbështetjes. Prej vitit 1949 oficerët e burgut kanë keqtrajtuar më pak të burgosurit, duke shënuar njëfarë përmirësimi në kushtet e tyre. Vakt mëngjesi nuk ka, ndërsa ushqimi i ditës për të burgosurit është supë për drekë dhe darkë me 600 gramë bukë për secilin. Familjarët e të burgosurve lejohen të sjellin ushqime për njerëzit e tyre. Ndërtesa e burgut përbëhet nga dy dhoma të mëdha me përmasa 7×7 metra, tetë dhoma me përmasa 5×3 metra, dhe 28 qeli për tre persona me përmasa 2×2 ½ metra. Burgu ka gjithashtu 3 qeli izolimi.

Publikuar në Shkup, Flaka e Vllaznimit

Shtator 1952

Lufta për pushtet e liderëve shqiptarë

Ky artikull mund të jetë me interes prej shpjegimeve të detajuara të marrëdhënies Shehu-Hoxha. Sipas tij, Hoxha do të ruajë pushtetin prej mbështetjes së sovjetikëve, por nevoja e tij për një krah të djathtë të fortë do ta ndalojë për të eliminuar Mehmet Shehun.

Manovrat e komplikuara për pushtet mes stalinistëve shqiptarë njihen tashmë nga të gjithë, me gjithë përpjekjet e tyre për t’i mbajtur të fshehta. Dihet gjithashtu se fituesi i këtij debati duhet të ketë mbështetjen e Moskës. Megjithëse veprojnë si miq në publik, dy drejtuesit e luftës së pushtetit janë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Shehu e ka të vështirë të durojë udhëheqjen e Hoxhës, pasi sipas tij ai nuk ka kompetencë ushtarake apo kurajo dhe në kohën e luftës Shehu kishte shumë më popullaritet se Hoxha. Përplasjet mes dy rivalëve kanë shkaktuar ndarjen e të gjithë qeverisë në dy kampe. Prej ndikimit sovjetik, pa të cilin asgjë nuk mund të ndodhë në vendet satelite të BRSS, duket se po shërben vetëm për të komplikuar gjërat. Enver Hoxha ka mbështetur gjeneralin sovjetik Glebov, ndërsa Shehu ka mbajtur anën e ministrit të mëvonshëm sovjetik në Shqipëri, Chuvakin. Kur situata arriti kulmin, besniku i Hoxhës Manush Myftiu, u dërgua për të kërkuar qartësime nga Moska mbi situatën e krijuar dhe mori disa instruksione e rekomandime nga gjenerali sovjetik Glebov. Në këtë kohë Chuvakin kishte shkuar në Moskë dhe mbështeste Shehun. Kremlini dëgjoi ankesat e të dyja palëve dhe vendosi në favor të Hoxhës, pasi duket qartë se Kremlini i jep më shumë besimin e tij liderëve të paaftë dhe frikacakë. Por konflikti nuk ka përfunduar. Chuvakin nuk u kthye më në Shqipëri dhe vendi i tij tashmë mbahet nga gjenerali Levishkin. Ndërkohë Hoxha po konsolidon pushtetin e tij duke emëruar emra të rinj në kabinet. Ai liroi Myftiun nga posti i zëvendësministrit dhe e ngriti më lart në parti. Një tjetër goditje e rëndësishme ndaj Shehut ishte emërimi i Bedri Spahiut si ministër i Arsimit. Karaman Ylli i larguar gradualisht nga posti i ministrit të Kulturës, me lavdërime për punën dhe sukseset e arritura. Lefter gjithashtu u shkarkua nga posti i Prokurimeve Bujqësore dhe Josif Pashko nuk është më ministër i Sigurimit. Postet e tyre po mbushen tashmë me njerëz që kanë besimin e plotë të Hoxhës si Maqo Çomo, ministër i Sigurimit dhe Haki Toska në Prokurimet Bujqësore. Gjithsesi posti Shehut është ende i sigurt prej nevojës së Hoxhës për një bashkëpunëtor të ftohtë e të ashpër në kryerjen e terrorit policor. Mund të citohen shumë shembuj që vërtetojnë se Hoxha ka frikë nga Shehu dhe nuk do të ndërmarrë hapa për eliminimin e tij, prandaj situata aktuale më shumë gjasa do të vazhdojë

27 maj 1952

Memorandum

Komente të Jacob T. Beam në lidhje me Shqipërinë dhe çështje të lidhura

Në lidhje me dokumentet e strategjisë së Luftës së Ftohtë dhe për qëllime të përgjithshme operacionale, po ju kaloj disa deklarata dhe observime të bëra nga zoti Beam, i cili është zyrtari i dytë i ambasadës tonë në Beograd. Ai sapo është kthyer nga Beogradi pas një mandati një-vjeçar. Beam është një observues i mprehtë politik dhe pikëpamjet e tij duhet të jenë me interes për ne.

Në lidhje me Shqipërinë, zoti Beam mendon se jugosllavët i qëndrojnë politikave të tyre të një viti më parë. Politika e tyre është të vazhdojnë të ruajnë gjerat të ziejnë ngadalë në Shqipëri, por nuk pranojnë të bëjnë diçka që do të trazonte regjimin aktualisht, prej frikës së ndonjë reprezaljeje nga sovietikët. Ata vazhdojnë të mendojnë se nëse Jugosllavia sulmohet nga Lindja, ata menjëherë do të pushtojnë të gjithë Shqipërinë, dhe me sa dihet, ata nuk pranojnë që në këtë pushtim të lejojnë pjesëmarrje nga Greqia apo vende të tjera. Jugosllavët besohet të kenë disa agjentë që hyjnë e dalin nga Shqipëria, të cilët janë mjaft të informuar mbi gjendjen aktuale në vend.

Situata në Shqipëri

Që prej vitit 1048 kur regjimi i Titos u prish me Bashkimin Sovietik, Shqipëria është izoluar nga kontakti tokësor me vendet satelite sovjetike. Kjo, përveç terrenit të ashpër të vetë vendit dhe traditave të vjetra klandestine të shqiptarëve, veçanërisht në zonat tribale të veriut, duken se e bëjnë Shqipërinë një objektiv premtues për operacione klandestine me objektiv përmbysjen e regjimit aktual komunist. Prezenca e një numri t madh refugjatësh shqiptarë në Evropë, sugjeron zhvillimin e një qendre politike jashtë Shqipërisë, të përbërë nga përfaqësues të elementëve anti-totalitarë dhe miqësorë ndaj politikave të SHBA për Ballkanin, që mund të shërbejnë si një pikënisje për elementët anti-komunistë brenda Shqipërisë. shërbimet e inteligjencës amerikane dhe britanike në verën e vitit 1949 ishin përgjegjës për formimin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA), që është një qendër politike e përfaqësuesve të refugjatëve demokratikë shqiptarë, dhe që mund të shërbejë si një mbulim për operacionet e fshehta në Shqipëri. Dhe prej atëherë operacionet e degëve politike dhe ushtarake janë kryer në emrin e NCFA.

Propozimi

NCFA është një grupim përfaqësues i refugjatëve shqiptarë që vepron si pikë fokusimi për ata që janë të interesuar përfundimisht për çlirimin e Shqipërisë. Grupimi vepron si një mbulim zyrtar për aktivitetet jozyrtare të CIAs dhe shërben si një vegël për denoncimin publik të çështjes së shqiptarëve të robëruar në Shqipëri. Ai kontrollohet nga CIA dhe shërbimet britanike të MI6. Krerëve të NCFA u është bërë e qartë se në asnjë rast nuk konsiderohen si “Qeveria në ekzil” e Shqipërisë.

Detyra dhe propozime

Botimi i gazetës Shqipëria në gjuhën shqipe, dhe përdorimi i përmbajtjes së saj kryesore për broshurat e propagandës së lëshuar nga ajri në Shqipëri. Botimi në kohën e duhur të njoftimeve periodike mbi Shqipërinë, i publikuar në anglisht, frëngjisht e itlalisht, i shpërndarë në agjencitë kryesore të shtypit perëndimor. (Përgatitja e përmbajtjes së botimit Shqipëria është kryer sipas projektit OBTUSE, i ci li mbështetet dhe asistohet nga OBLIVIOUS ) Përgatitja e teksteve të broshurave të propagandës dhe shkrimet e transmetimeve klandestine në radio. Operacioni i “letrave helmuese” me postë, kundër liderëve të lartë të regjimit komunist në Shqipëri. Monitorimi i Radio Tiranës, monitorim i shtypit botëror për lajme mbi Shqipërinë, që mund të përdoren në programin tonë të propagandës. Lidhjet me grupet e emigrantëve, veçanërisht me ato që bëjnë pjesë në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.

Personeli

Një oficer i selisë kryesore do të mbajë lidhje me selinë kryesore të NCFA në Nju Jork. Të gjitha lidhjet e tjera të mbahen nga grupi i Shqipërisë së CIAs, përveç kontakteve me agjentin e publikimit të Shqipëria në Romë, i cili do të lidhet me një oficer të SE.

Grupet dhe liderët vendas

NCFA është i përbërë nga përfaqësues të grupeve kryesore politike të Shqipërisë si dhe nga të pavarur. Komiteti ekzekutiv i saj përbëhet nga liderë të të gjitha grupeve, pas riorganizimit të tij në dhjetor 1953 ku u përfshinë dhe elementë që më parë nuk përfaqësoheshin.

Grupet e shënjestruar

Grupi i shënjestruar është populli shqiptar, në sensin që të gjithë përpjekjet e NCFa kanë si qëllim krijimin e një atmosfere rezistence kundër regjimit dhe përfundimisht çlirimin e popullit prej tij.

Comments

comments

Rreth Redaksia

Gjej gjithashtu

Viti 1916/ Kur Esat Pashë Toptani u detyrua të largohet nga Shqipëria nëpërmjet portit të Durrësit, sëbashku me trupat serbe

Lufta e Parë Botërore. Në vitin 1916 Esat Pashë Toptani detyrohet të largohet nga Shqipëria …