Fillimi / Kryesore / Aspak trill: Viti ’92, kur Gramoz Ruçi kërkonte heqjen e simboleve komuniste

Aspak trill: Viti ’92, kur Gramoz Ruçi kërkonte heqjen e simboleve komuniste

Ermir Hoxha

Prej ditësh, opozita shqiptare i është vërsulur mazhorancës për emërimin prej saj të Gramoz Ruçit si kryetar Kuvendi.

Tek Ruçi, opozita sheh një mishërim të ish-regjimit komunist, e tek emërimi tij në postin nr. 2 të shtetit, sheh rikthimin e vetë komunizmit.

Edhe pse nuk ka ndonjë akuzë konkrete ndaj Ruçit si person, për këtë apo atë akt, politik ose penal, me elementë krimi brenda, opozita ka sendërtuar në opinion, falë dhe pamjes së ashpër të Ruçit (krijimi i Zotit, nuk është faji i tij), idenë se tek ky i fundit fshihet vetë djalli politik.

E ndërkohë, gjatë 27 viteve e ka pranuar dhe legjitimuar atë si faktor politik, duke u ulur me Ruçin herëpahere në tryeza negociatash.

Dhe është plotësisht e vërtetë se Gramoz Ruçi ka qenë një ish-eksponent i regjimit, në fundin e tij, duke qenë sekretar i parë i Tepelenës, e me vonë ministër i Brendshëm, në periudhën kur ndodhën vrasjet e 2 prillit në Shkodër.

Por siç tregojnë arkivat, është po aq e vërtetë se Ruçi na paskësh qenë dhe ndër ata që, që në vitin 1992 ka kërkuar heqjen e simboleve të komunizmit. Ishte koha kur një komision parlamentar ishte ngritur për hartimin simboleve të reja kombëtare. Ishte marrë vendimi për heqjen e simboleve komuniste, por po vonohej miratimi i të rejave, atyre që duheshin në sistemin demokratik.

Në një debat në parlament, Gramoz Ruçi flet për këtë situatë të papranueshme kur shteti shqiptar në të vërtetë ishte pa simbolet kombëtare. “Të humbtë vula!”, ishte shprehja popullore që Ruçi përdori në parlament për të sensibilizuar institucionet për mungesën e vulës së shtetit shqiptar.

Lexoni më poshtë më të zgjeruar qëndrimin e Ruçit:

Është e pafalshme për ne si Parlament që jemi një shtet pa stemë, një shtet pa vulë, një shtet pa flamur. Do të ishte detyra e parë që duhet të kishim zgjidhur: heqjen e simboleve komuniste, por dhe zëvëndësimin e tyre tyre… Jemi pa vulë edhe populli ynë e përdor shumë realisht “të humbtë vula”.

Ne akoma themi që e kemi hequr, por vulë kemi atë që kishim. Pra është e pafalshme, por njëkohësisht është e pafalshme të shpejtohemi pa u përgatitur. Megjithatë unë mendoj që disa të nderuar deputetë e komplikojnë më tepër problemin….

Po marrim flamurin kombëtar, ta quajmë kombëtar dhe e komplikojmë që s’kemi marrë mendimin e diasporës, njërën-tjetrën. Nuk do të ketë shqiptar, drejt tha deputeti Hajdari, që të mos pranojë dy elementë të këtij flamuri: fushën e kuqë dhe shqiponjën e zezë, s’ka shqiptar domethënë, le të shtrojë si të duash, mbarë e mbrapsht. Këtu është problemi dhe ka një element tjetër: lloji i kësaj shqiponjë i cili ka evoluar historikisht, pra kap kriterin historik të këtij problemi.

Unë mendoj që këtë nuk mund ta japë as diaspora kudo që është, as kosovarët, apo maqedonasit, apo shqiptarët e Malit të Zi, as arbëreshët, as çamët dhe as shqiptarët këtu brenda vendit. Këtu duhet një mendim i kualifikuar historik.

Fjala vjen, unë do të thosha që duhet një mendim i kualifikuar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që komisioni ynë duhet t’ua marrë atyre. Pra, ne do të bëjmë ose do të japim argumente dhe kundërargumente për stilizimin e shqiponjës, se për elementët themelorë që ka ky simbol kombëtar i gjithë kombi shqiptar i ka pranuar.

Është e pafalshme, që nesër kemi festat kombëtare e ne s’kemi flamurin, ose presim presidentë të botës e s’kemi stemën këtu në Parlament, ose s’kemi vulë dhe të gjithë japim mendime sikur çoç do të zgjidhim.

Comments

comments

Rreth Redaksia

Gjej gjithashtu

“Der Standard” jep alarmin: Serbia dhe Shqipëria po luajnë me kufijtë në Ballkan

Gazeta austriake shkruan se presidenti serb Aleksandar Vuçic dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po …