Fillimi / Aktualitet / Dëshmia e shoferit: Si e pashë Emiljano Shullazin t’i vinte pistoletën në kokë biznesmenit Beqaj

Dëshmia e shoferit: Si e pashë Emiljano Shullazin t’i vinte pistoletën në kokë biznesmenit Beqaj

Përveç dëshmisë së Ylvi Beqjas, në dosjen e Gjykatës së Krimeve të Rënda është marrë si provë edhe dëshmia e shoferit personal të këtij të fundit ndaj të pandehurit Emiljano Shullazi.

Ndaj këtij të fundit, u zhvillua dje seanca e radhës gjyqësore, ndërsa është marrë dëshmia e shtetasit Besnik Musai, ish-shoferi i Ylvi Beqjas, njëkohësisht edhe vëllai i bashkëjetueses së tij. Dëshmia e tij, mund të fundosë Shullazin dhe të akuzuarit e tjerë me të. Dëshmitari tashmë i mbrojtur Besnik Musai, deklaroi dje para trupit gjykues se të gjitha kërcënimet e deklaruara nga ish-punëdhënësi i tij janë të vërteta. Ai sqaroi para trupës gjyqësore të gjitha situatat ku ka qenë i pranishëm dhe gjatë të cilave është kërcënuar me jetë Ylvi Beqja. Besnik Musai deklaroi se ka qenë i pranishëm kur Ylvi Beqja i ka dhënë Gilmando Danit, krahut të djathtë të Shullazit, rreth 80 mijë euro. Dorëzimi sipas tij është bërë afër zonës së ish-parkut të autobusëve në kryeqytet.

Dëshmitari Musai ka treguar edhe për një episod të dytë kur ishte nisur së bashku me Ylvi Beqjan për t’i paguar Shullazit një shumë të dytë prej 70 mijë eurosh, të cilën nuk e kishin dorëzuar për shkak të një aksidenti automobilistik në të cilën ishte përfshirë makina me të cilën po udhëtonin Beqja dhe Musai. Ky i fundit gjithashtu u shpreh se, gjatë nënshkrimit të kontratës mes Beqjas dhe Shullazit për faljen e një pjese të ish-Hotel Vollgës në Durrës, ka parë Emiljano Shullazin që t’i vendoste pistoletën në bark biznesmenit. Ndërkohë, dëshmitari Besnik Musai nuk nguroi t’i tregonte gjykatës për një kërcënim me jetë që kishte marrë në fundjavën e kaluar nga persona të dyshuar se kishin lidhje me Shullazin. Ish-shoferi i Ylvi Beqjas tha para gjykatës, se të dielën dy persona të panjohur i kanë shkuar në shtëpinë e prindërve në Durrës dhe i kanë kërcënuar me jetë nëse i biri, dëshmonte dje kundër Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Dëshmia

“Me Ylvi Beqjan njihem prej pesë vitesh. Kam qenë shoferi i tij personal, por kemi pasur, marrëdhënie miqësie dhe të afërta me të, për shkak se motra ime bashkëjeton me Ylviun. Pavarësisht kësaj, unë kam qëndruar larg marrëdhënies së tyre. E kam shoqëruar Ylviu te zyra e noterisë së Aida Spahiut në Durrës, për të nënshkruar një kontratë, përmes së cilës do ti dhuronte Emiljano Shullazit një pjesë të ish-hotel Vollgës. Kur mbërritëm aty, ishte pasdite dhe jashtë qëndronte Gilmando Dani dhe Endrit Qyqja. Më pas erdhi Emiljano Shullazi, i cili hyri brenda me Ylviun dhe me Danin. Më pas, Qyqja mbylli qepenin e zyrës së noteres. Pas 20 minutash u dyshuan zëra dhe Shullazi doli jashtë zyrës. Ai e kishte kapur Ylviu për qafe. Pak metra më tutje hyrjes së zyrës së noteres, pashë që nxori armën, ia vuri në kokë dhe debatuan ashpër. U kthyen përsëri te noterja dhe qëndruan 20 minuta të tjera. Ylviu doli i mërzitur nga zyra dhe nuk po më thoshte asgjë.

Dy ditë më vonë, unë e kam pyetur se çfarë ndodhi tek zyra e noteres dhe Ylviu më tregoi se Emiljano Shullazi i kërkonte shuma të mëdha parash. Pas kësaj, Ylviu i ka dorëzuar shumën prej 80 mijë euro Gilmando Danit në një lokal pranë ish-parkut të autobusëve në Tiranë. Lekët ishin të mbështjella në një gazetë. Vetë Ylviu më ka treguar se ata e kërcënonin për t’i dhënë para. Ndërkohë, herën e dytë, unë dhe Ylviu erdhëm nga Durrësi në Vorë, ku do t’i dorëzonim Gilmando Danit një shumë prej 70 mijë euro. Atë ditë nuk i dorëzuam paratë, pasi një makinë goditi makinën tonë dhe u detyruam të shkonim në servil. Nuk di nëse këto para janë dorëzuar më pas apo jo”, ka treguar 27-vjeçari nga Durrësi.

Kjo është dëshmia që ka dhënë dëshmitari seancën e djeshme, dëshmi e cila ka rënduar ende më shumë situatën ndaj Emiljano Shullazit dhe bandës së tij, të cilët janë vënë nën akuzën e “gjobëvënies”. Musai tha gjithashtu në seancë se ditën e diel e ëma i është kërcënuar në banesë në rast se ai dëshmonte. Ata kanë kërcënuar edhe herë tjetër, shtoi Besnik Musai, jo vetëm për jetën, por edhe që do të hidhnin shtëpinë në erë. “Dy ditë më parë, dy persona tentuan të hynin në shtëpinë time dhe kërcënuan me jetë nënën që unë të mos dëshmoja këtu sot. Madje kjo nuk është hera e parë që më ndodh. Herë tjetër, ata më kanë thënë që do të hedhim shtëpinë në erë. Kemi bërë denoncim për këtë dhe Policia ka marrë masa për të na mbrojtur”, ka theksuar ai para Gjykatës.

Në Gjykatë

Ndërkohë, në përfundim të seancës së djeshme, Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtësve për të bërë një ballafaqim mes dëshmitares Aida Spahiu dhe Besnik Musait, si edhe ballafaqim mes saj dhe biznesmenit Ylvi Beqja. Në seancën e radhës pritet pyetja e gjashtë dëshmitarëve, mes të cilëve ish-kreu i Hipotekave, Ilirjan Muho, biznesmeni Fejzi Kodra dhe badigardi i Beqjas, Romeo Tarja. Muho mwsohet se ka deklaruar dje se e ka pasur tw pamundur qw tw ishte prezent nw sallw pwr tw dwshmuar. Emiljano Shullazi dhe katër miqtë e tij po gjykohen për “gjobëvënie” në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për “kanosje”.

Në qershor të këtij viti, dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja akuzoi në sallën e gjyqit direkt Shullazin për kërcënime dhe gjobëvënie. Sipas Beqjas ai i ka paguar në disa episode të ndryshme rreth 500 mijë euro gjobë Shullazit, si dhe i ka kaluar në pronësi një pjesë të ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Po gjatë dëshmisë së dhënë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Ylvi Beqja pati deklaruar në qershor se i ishin ofruar 7 milionë lekë për të tërhequr dëshminë e dhënë kundër Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe se për shkak të refuzimit ishte kërcënuar me jetë ai dhe familjarët e tij. 

Comments

comments

Rreth KL AL

Gjej gjithashtu

185 punonjësit e ‘Vettingut’ dhe superpagat e tyre

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi ka paraqitur në komision sot relacionin për strukturat …