Fillimi / Aktualitet / Bota shqiptare / DOKUMENT/ Ja pakti i fshehtë mes Ballit Kombëtar dhe briatnikëve

DOKUMENT/ Ja pakti i fshehtë mes Ballit Kombëtar dhe briatnikëve

Në kulmin e luftës në Shqipëri, Balli Kombëtar ndërmori një lëvizje për të siguruar mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe.

Në shkurt të vitit 1944, kur lufta ndodhej në pjesën më të ashpër të saj dhe në prag të përfundimit të operacionit të dimrit, lideri i Ballit Kombëtar në zonën e Vlorës, Skënder Muço, u jep një marrëveshje të shkruar oficerëve britanikë në Shqipëri.

Ai takon majorin Antoni Kuell në Dukat, ku ai kishte shtabin, dhe i kërkoi që këtë marrëveshje ta dorëzonte në komandën ushtarake të Aleatëve në Kajro. Skënder Muço kërkoi gjithashtu që të udhëtojë drejt Kajros për të finalizuar marrëveshjen. Kjo marrëveshje përmban disa pika mjaft interesante. Balli Kombëtar kërkonte nga britanikët që ata të siguronin pavarësinë e Shqipërisë pas lufte dhe në këmbim, ata ofronin gjithë mbështetjen e tyre ushtarake për të luftuar gjermanët, madje nën komandën e oficerëve britanikë.

Kjo marrëveshje u shqyrtua nga zyra politike e aleatëve në Kajro dhe iu nis për miratim edhe Ministrisë së Jashtme britanike. Por ndaj këtij propozimi të guximshëm, britanikët nuk lëvizën nga vendi. Në raportin sekret të zyrës aleate drejtuar Ministrisë së Jashtme britanike, thuhet se aleatët i trembeshin një lufte civile në shkallë të gjerë në Shqipëri nëse Balli Kombëtar mbështet me armë e municione.

Për më tej, ata kërkuan garanci nga Balli Kombëtar, duke i kërkuar të niste menjëherë luftën ndaj gjermanëve e më pas mund të merrnin ndihma ushtarake të tyre. Por thelbi i paktit sekret të Ballit Kombëtar ishte një marrëveshje politike, e cila do të siguronte pavarësinë e Shqipërisë, e për më tej një Shqipëri jo komuniste.

Gjithashtu vlen të theksohet që ky propozim erdhi në një kohë jo të përshtatshme. Kishte vetëm pak javë që brigadieri britanik Dejvis u kap rob në Shqipëri dhe britanikët akuzonin shqiptarin Aziz Biçaku për kapjen e tij, duke e konsideruar si pjesë të Ballit Kombëtar, ndonëse organizata e drejtuar nga Mithat Frashri nuk e ka pranuar asnjëherë Aziz Biçakun.

Kjo marrëveshje u la në heshtje, duke krijuar mjaft dyshime te nacionalistët shqiptarë në qëndrimin e britanikëve, shpesh duke e akuzuar se po mbanin një qëndrim pro jugosllav dhe grek në dëm të interesave të Shqipërisë, veçanërisht pas lufte, ku Shqipërisë mund t’i prekeshin kufijtë e saj.

Në këtë kohë, ka një reagim më ekstrem të Ballit Kombëtar gjatë shkurtit 1944, ku në një takim të zgjeruar në Berat, shumë prej liderëve të saj kërkuan luftë të pakompromistë ndaj komunistëve, bashkëpunim me qeverinë e Tiranës dhe një armëpushim me gjermanët.

Gjatë shkurtit 1944, lëvizja e komunistëve ndodhej në prag katastrofe pas operacionit të dimrit, ndaj sërish britanikët nuk e kaluan tërësisht në heshtje marrëveshjen sekrete të Ballit Kombëtar. Por rrjedha e shpejtë e luftës bëri që kjo marrëveshje, edhe për shkak të mosbesimeve të shumta, të mos realizohej. Në dy dokumentet e botuara sot, jepen detaje interesante edhe nga fshati Dukat i Vlorës, një nga fshatrat më të mëdhenj të vendit.

Ky fshat mbështeste Ballin Kombëtar dhe ruhej gjithnjë nga një sulm i LNÇ-së. Dukati, një fshat patriotësh, kishte edhe shtabin më të madh të oficerëve britanikë. Madje, jo vetëm i strehoi ata, por edhe i ndihmoi të koordinonin ndihma nga deti që vinin për luftën në Shqipëri, e që pothuaj të gjitha shkonin për lëvizjen komuniste.

Propozuesi i kësaj marrëveshjeje, Skënder Muço, ishte një avokat i ri dhe i suksesshëm nga Vlora. Së bashku me Hysni Lepenicën, do të kishin një nga çetat më të organizuara në zonën e Vlorës. Skënder Muço u vra nga gjermanët në gusht të vitit 1944. Ai ishte një nga liderët kryesorë të Ballit Kombëtar, që gjithnjë luftoi gjermanët dhe kërkoi një linjë të fortë kundër tyre.

DOKUMENTI

DOKUMENT I KABINETIT TË LUFTËS, NGA KAJRO PËR NË MINISTRINË E JASHTME/ TEPËR SEKRET

Lord Killearn/ 26 Shkurt 1944

Propozimi i Skënder Muços u shqyrtua sot nga zyra. Në lidhje me vonesën e trajtimit të çështjes, ndonëse zyra ka qenë e ngarkuar, u ra dakord për të dërguar një përgjigje të shpejtë.

Faksimile e dokumentit sekret britanik ku shtyrtohet marreveshja e ofruar nga Skender Muco

Sepse në fakt nuk ka asnjë ndryshim politik. Propozimi, i cili u bë personalisht ndaj një prej oficerëve britanikë të ndërlidhjes (Antoni Kuell), në emër të Ballit Kombëtar, ofronte;

1-Të pranojë urdhrat e britanikëve për t’u përgatitur për betejën finale kundër gjermanëve.

2-Të organizojë shërbimet inteligjente.

3-Të marrin pjesë në lëvizjen e misioneve tona.

Skënder Muço kërkoi që të lejohet të udhëtojë drejt Kajros për të kërkuar siguri në lidhje me pikat e mëposhtme;

1-Pavarësinë e Shqipërisë pas luftës.

2-Marrjen e ishullit të Sazanit.

3-Pagesat e dëmeve të luftës nga italianët.

4-Përjashtimin e trupave italiane dhe greke nga operacionet në Shqipëri.

5-Ndihmë për Shqipërinë pas luftës.

Në lidhje me këto kërkesa ka një miratim të përgjithshëm se Balli Kombëtar po humbet shumë pikë, ndaj duhet parë nëse një marrëdhënie e tillë duhet marrë shumë seriozisht. Për më shumë, duket si një pendim para vdekjes nisur edhe nga motivet apo nga fakti që aleatët janë shumë pranë fitores së luftës, dhe është shumë e qartë, për të mos thënë e pacipë, për një bashkëpunim me ne, kur ka bashkëpunim me gjermanët për të sulmuar FNÇ-në dhe misionet tona në jug të vendit.

Oficeri britanik i ndërlidhjes është i shqetësuar, Majori Quayle (Kuell), një oficer tepër i gatshëm, është i bindur se kjo ofertë është e sinqertë, si dhe për më tepër ka avantazhe potenciale për një bashkëpunim me Ballin Kombëtar gjatë tërheqjes së gjermanëve.

Ne vendosëm të justifikohet një bashkëpunim me punë. Skënder Muços iu tha verbalisht se politika jonë është të ndihmojë këdo që do t’u rezistojë gjermanëve. Ne nuk jemi të interesuar në politikën shqiptare në situatën aktuale, por gjithnjë do të jemi promovues për bashkimin me kushtin e një rezistence efektive.

Gjithsesi, në situatën aktuale, vetëm LNÇ është duke luftuar gjermanët, ndërsa Balli Kombëtar nuk ka lëvizur që nga shtatori, pavar- ësisht premtimeve me shkrim për të luftuar. Në të kundërt, pavarësisht sulmeve nga LNÇ, ata tradhtuan lëvizjen e oficerëve tanë duke plaçkitur shtabin e tyre dhe dyshohen për bashkëpunim në sulmin ndaj Brigadierit Dejvis.

Pavarësisht kësaj, ne nuk kemi asnjë hap për denoncimin e Ballit Kombëtar duke ditur se brenda tij ka elementë me patriotizëm të padyshimtë. Ndaj, duke vlerësuar vendimin për të sulmuar armikun e përbashkët, ne jemi të përgatitur për të dhënë ndihmë vetëm duke hedhur hapa konkretë dhe duke ndalur çdo aksion ndaj LNÇ-së.

Në lidhje me këtë situatë, Majori Quayle është i autorizuar për të diskutuar hapa dhe rrugë mundësie për bashkëpunim, edhe pse s’mund të ketë një ndihmë të menjëhershme, duke pasur parasysh edhe pretendimet e atyre që kanë kohë që rezistojnë.

Në varësi të rezultateve do të varet edhe ndihma. Ndërkaq, asnjë qëllim nuk do t’i shërbehet nëse Skënder Muço vjen në Kajro, kjo edhe sepse qëndrimet e qeverisë britanike ndaj Shqipërisë janë të shpallura publikisht. Mbetet për t’u parë se çfarë efekti do të ketë kjo përgjigje për Ballin Kombëtar dhe nëse i kushtojnë rëndësi me siguri do të hapim një mundësi për ndaljen e përkohshme të luftës civile. Sigurisht që do të ishte vetëm e përkohshme.

DOKUMENT I KABINETIT TË LUFTËS, NGA KAJRO PËR NË MINISTRINË E JASHTME/ TEPËR SEKRET

Lord Killearn/ 26 Shkurt 1944

ÇËSHTJA SHQIPTARE SA VJEN E KOMPLIKOHET MË SHUMË

Tashmë nuk ka asnjë dyshim që një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Ballit Kombëtar janë duke bashkëpunuar me gjermanët bazuar në një raport të fundit që paraqet situatën në Shqipërinë Juglindore kundër LNÇ-së dhe janë duke pasur sukses të madh. Lëvizja Nacionalçlirimtare ndodhet në një vështirësi serioze.

Kjo dyshohet edhe nga informacione autentike në implikimin e Ballit Kombëtar në sulmin ndaj Brigadier Dejvis, duke çuar në një konkluzion që të gjitha grupet këtu në Kajro të mendojnë se duhet një linjë më e fortë ndaj bashkëpunuesve.

Majori Britanik Quyale ne Dukat te Vlores ne pranvere 1944

Është rënë dakord me zyrën e lajmeve që të transmetohet në lajme me radio një qëndrim i tillë. Siç mund ta shikoni, ne jemi sërish ngurrues në denoncimin e Ballit Kombëtar. Kjo sepse Balli Kombëtar po humbet dhe është një organizatë jokoherente dhe përbëhet me elementë totalisht antikomunistë, por edhe me përbërje agresivë dhe mbrojtës.

Për qartësi, fshati i rëndësishëm i Dukatit në Vlorë, në zonën ku vijmë më shumë ndihma nga ana jonë për luftën në jug të vendit, është mbështetës i Ballit Kombëtar, por nuk ndërmarrin aksione në mënyrë që t’u rezistojnë sulmeve nga LNÇ. Në Dukat janë miqësorë ndaj oficerëve tanë dhe në fakt përbëjnë një ndihmë të madhe për ne.

Por gjithsesi ata nuk luftojnë gjermanët nga frika se ata mund të djegin fshatin, por nga ky pozicion po përfiton edhe misioni ynë, pasi në të kundërt nuk do të kishim asnjë përfitim. Në situatën aktuale, Dukati është në një rrezik të madh për t’u sulmuar nga LNÇ, kjo edhe për shkak se LNÇ kërkon rezerva ushqimore, të cilat po u mbarojnë.

Ky pozicion vijon të jetë edhe më i komplikuar nisur nga disa propozime formale të ardhura nga Skënder Muço, një lider i Ballit Kombëtar me influencë të madhe në zonën e Vlorës, i cili në mënyrë të sinqertë kërkon bashkëpunim për të luftuar gjermanët në një moment të përshtatshëm, kur të marrë disa garanci prej nesh.

Ky propozim, së bashku me një draft përgjigjesh, janë duke u marrë në konsideratë nga zyra jonë dhe do të nisen për miratim nga ju. Drafti i përgjigjeve shpresoj t’ju sqarojë në mënyrë të plotë për hapat që kemi ndërmarrë ndaj Ballit Kombëtar.

Ndërsa koha kalon, ne do të jemi në gjendje për të gjetur emrat e personave më aktivë kundër LNÇ-së, e cila do të na ndihmojë për denoncimet e së ardhmes. Për momentin kjo është politika jonë e vetme, por ne duhet të qëndrojmë gati për çdo ndryshim politik./Panorama

 

Comments

comments

Rreth Kl Ma

Gjej gjithashtu

Lotaria Amerikane/ Nesër nisin aplikimet, ja gjithçka që duhet të dini nga fotografia tek kostoja nese perzgjidheni

Pas lajmit te dhene nga Ambasada Amerikane ne vendin tone se gjithe aplikimet e bera …