Fillimi / Ekskluzive / EKSKLUZIVE/ Dhuna në familje, problem shqetësues

EKSKLUZIVE/ Dhuna në familje, problem shqetësues

Dhuna eshte nje plage ende e pa sheruar e shoqerise sone. Rasti i diteve te fundit, vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi, ngriti ne kembe policine e shtetit duke arrestuar bashkeshortet dhunues. Por, kur keto rase kane edhe viktima te gjithe drejtojme syte nga shteti dhe nga ligji qe nuk mundet te mbroje nje femer. Ne nje interviste ekskluzive per dailynews.al, juristi Niazi Jaho, argumenton anen ligjore persa i perket dhunes ne familje.

Niazi Jaho – Jurist

-Z. Jaho, të dhënat e publikuara lidhur me dhunën brenda familjes paraqiten shqetësuese. Mos ndoshta në këto raste duhen ashpërsuar masat e dënimit?

– Është e vërtetë se ky është një problem shqetësues dhe duhet të preokupojë jo vetëm organet e drejtësisë dhe institucionet e tjera por mbarë shoqërinë. Faktorët përse ndodh ky fenomen janë nga më të ndryshmet dhe kërkojnë trajtim të veçantë. Në rrethana dhe kushte të caktuara edhe ashpërsimi i masave të dënimit mund të ndikojë pozitivisht në reduktimin e rasteve të tilla. Megjithatë, për mendimin tim (gjë që e ka vërtetuar praktika), kryesore janë masat parandaluese.

-Ky problem është diskutuar vazhdimisht. Ka patur debate dhe probleme, por ai vazhdon të jetë shqetësues, madje kohët e fundit ka edhe një farë rritje të rasteve të ushtrimit të dhunës në familje, siç është p.sh. ai i gjyqtares viktimë që u vra nga ish bashkëshorti i saj.

– Natyrisht që humbja e jetës (vdekja e personit) është tepër e rëndë dhe e dhimbshme. Rastet e vrasjes të kësaj natyre dënohen edhe me burgim të përjetshëm. Kështu p.sh., sipas nenit 79/c, të Kodit Penal, vrasja me dashje e personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt në autorin e veprës penale dënohet me burgim jo më pak se 25 vjet ose me burgim të përjetshëm.

Por, dhuna në familje parashikohet në forma të ndryshme kështu p.sh., rrahja dënohet gjer në dy vjet burgim, kanosja serioze për vrasje ose plagosje e rëndë gjer në tre vjet, plagosja e kryer me dashje gjer në 5 vjet. Kur, këto vepra kryhen në mënyrë të përsëritur ose në prani të fëmijës dënohen deri në 5 vjet burgim.

Është gjykata ajo që, duhet të marrë parasysh rrezikshmërinë e veprës penale dhe të autorit të saj, kushtet në të cilat është kryer vepra apo rrethanat lehtësuese dhe rënduese do të caktojë masën e dënimit.

Për mendimin tim nuk mund të thuhet se masat ndëshkuese të parashikuara në Kodin Penal janë të buta. Nëse do të analizohej në mënyrë kritike dhe objektivitet ky problem mund të thuhej se, në raste të veçanta praktika penale nuk ka qenë e drejtë dhe e justifikueshme.

Është e vërtetë se për dhunën në familje është folur shumë, janë bërë edhe mbledhje. Problemi është trajtuar edhe në seancat parlamentare, por mesa duket, masat parandaluese nuk kanë qenë të koordinuara dhe të vazhdueshme si pasojë edhe rezultati nuk ka qenë ai që synohej.

– Veç Kodit Penal, a kemi ne ligje të tjera ku trajtohet ky problem?
– Po, është Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” që ka hyrë në fuqi në Janar 2007. Ky ligj është mjaft i detajuar
Nëse do t’i referohemi 2 neneve të para të këtij ligji, parandalimit i jepet rëndësi e veçantë kështu p.sh., qëllimi i miratimit të ligjit është parandalimi dhe reduktimi i dhunës në familje në të gjitha format e saj ndërsa objekti i tij është krijimi i një rrjeti të koordinuar institucionesh përgjegjëse për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, orientimi i punës për krijimin e strukturave dhe organeve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor për parandalimin e dhunës në familje, fuqizimin e gjyqësorit për marrjen e masave mbrojtëseë ndaj dhunës në familje etj.

Nga përmbajtja e dispozitave të mësipërme bëhet e qartë se, me këtë problem nuk duhet të angazhohen vetëm organet e policisë, të prokurorisë dhe të gjykatës por edhe institucionet e tjera, shoqëria civile, madje në rastë të veçanta do të ishte e rekomandueshme që të ndihmonin edhe individë që kanë reputacion dhe që veprojnë me takt.

– Ka raste që Gjykata merr vendimin ose lëshon urdhëra me karakter mnbrojtës. A mund të jepni disa sqarime lidhur më këtë çështje?

– Po në ligj parashikohet që kur është rasti gjykata merr masa mbrojtëse në rastet e dhunës në familje si p.sh., urdhëron dhunuesin që të mos kryejë ose mos kërcënojë kryerjen e veprave ndaj viktimës apo pjestarëve të tjerë të familjes. Ajo mund të urdhërojë largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa për një afat kohor, ose e ndalon atë që t’i afrohet përtej një distance të caktuar viktimës apo pjesëtarëve të familjes së viktimës, ndalon dhunuesin të bashkohet me fëmijën ose të hyjë apo të qëndrojë në banesën e përhershme apo të përkohshme etj.

– Kemi dëgjuar se ekziston edhe një udhëzim apo ligj që në rastet e dhunës në familje dhe kërkesës për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes për dhunuesin përdoren edhe mekanizma elektronike me qëllim parandalimin e veprave të tjera të dhunshme. A mund ta sqaroni këtë?

– Po, në dhjetor të vitit 2011 është miratuar Ligji nr. 10 494, dt. 22.12.2011, “Për mbikqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim gjyqësor”.

Në pikën 5, të nenit 7, të këtij ligji thuhet se, përjashtimisht gjykata mund të vendosi përdorimin e mjeteve elektronike edhe pa pëlqimin e subjektit kur ajo vendos një nga masat shtrënguese të parashikuar nga nenet 232, të Kodit të Procedurës Penale ku, veç të tjerave, parashikohet edhe ndalimi dhe detyrimi për qëndrimin në një vend të caktuar, detyrimin për t’u paraqitur në seancën gjyqësore, etj.

-Çfarë është ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar?

– Këtë e vendos gjykata e cila detyron ndalimin e qëndrimit të të pandehurit që të mos qëndrojë në një vend të caktuar dhe të mos shkojë atje pa autorizimin e tij. Për urdhrat e gjykatës njoftohet organi i policisë që të mbikqyrë respektimin e tij dhe i raporton prokurorit për çdo shkelje.

-Përse shërben pajisja elektronike?

– Mbikqyrja elektronike është mekanizëm që garanton zbatimin efektiv të vendimit gjyqësor. Ajo përcakton në këto raste vendndodhjen e personit. Kjo pajisje vendoset në trupin e tij.

-A ka praktikuar gjykata vendosjen e këtij mekanizmi në rastet e dhunës në familje?

– Këtë nuk e di. Në ligj thuhet se, këtë e vlerëson gjykata kur kjo është e domosdoshme.

/DailyNews.al/

 

 

 

 

Comments

comments

Rreth Kl Ma

Gjej gjithashtu

Të fshehtat e samitit të NATO-s në Tiranë: Rusia po përgatitet për luftë të madhe

Zbulohen të fshehtat e samitit të NATO-s që u mbajt në Tiranë për dy ditë …