Fillimi / Jete / Dossier / Alfred Peza i përgjigjet nipit të Zogut: Hallat nuk të kanë treguar për Maxhiden dhe Enverin

Alfred Peza i përgjigjet nipit të Zogut: Hallat nuk të kanë treguar për Maxhiden dhe Enverin

“Nuk është vetëm një histori dashurie, por një libër i angazhuar, sa politik, aq edhe emancipimi e identiteti. Si lindi “Sarah” dhe në ç’arkiva është kërkuar për figurën e Sara Blloshmit”

Nëse do të shkruante një vepër me karakter historik, Alfred Peza nuk do të kishte guxuar kurrë të fliste për ngjarje të ndodhura, pa pasur një document të shkruar, vetëm duke u mbështetur në zëra apo shkrime gazetash.
Por me “Sarah”, aim und ta çojë fantazinë e tij në limit dhe ti bëjë të paqenat të qena, apo të ngrejë ngjarje e dialogë mbi hamendësime, ta bëjë Sara Blloshmin të dashurën e Zogut, ndonëse nuk ka një document ta vërtetojë, apo ta çojë në prag fejese, Enver Hoxhën me motrën e Mbretit, Maxhiden. Sigurisht, kjo ka shkaktuar edhe pak turbullira, por Peza qetëson: Nuk kam shkruar një roman historic dhe mos kërkoni të vërteta historike pas çdo detaji.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Peza tregon se si lindi roman ii tij “Sarah”, ku ka hulumtuar për të ndërtuar figurën e Sara Blloshmit dhe sa të vërteta fshihen pas takimeve mes Ahmet Zogut, Faik Konicës e Gjergj Fishtës. Po ashtu, ai ndalet edhe në “provokimin” me fejesën e dështuar të Enver Hoxhës me Princeshën Maxhide, duke iu përgjigjur edhe nipit të Ahmet Zogut, Skënder Zogut. Sipas Pezës, për këtë rast është shkruar në media, madje është thënë edhe se “kur Enver Hoxha e humbte vetëdijen për shkak të gjendjes shëndetësore, paskësh thënë: “Dërgoni lule te varri i Maxhidesë!”

Le ta nisim nga gjeneza. Si lindi “Sarah”?

Kultura e punës si gazetar më ka mësuar shumë herët, që të punoj me skeda, shënime, dosje, nënvizime librash dhe në arkiva. Prej gati çerek shekulli, në tryezën time të punës dhe në bibliotekë, kam sistemuar fletore, blloqe dhe shumë “file” elektronikë për çështje dhe tema brenda fushave të interesave të mij profesionalë dhe personalë. Disa prej tyre kanë shërbyer si lëndë për shkrime të rëndësishme, emisione televizivë, për temën e doktoraturës, librin e parë, etj. Shumë të tjera, janë në pritje të projekteve të reja në vijim.

Përveç informacioneve gazetareske, grumbulloj e ruaj histori njerëzore. E mar lëndën nga dossier-ët që botohen në media, letërsia dokumentar, librat me kujtime, dokumentarët televizivë, intervistat e personazhesh publikë dhe nga takimet e drejtpërdrejta me njerëzit. Eshtë një interes që ka ardhur në rritje, për shkak se brenda këtyre historive shpeshherë të jashtëzakonshme dhe unikale, gjen jo vetëm informacion, por edhe ngjyra jete, mesazhe dhe lëndë arstistike që të mbushin dhe të befasojnë.

Një prej tyre, ka qenë edhe historia e jetës së Sara Blloshmit. E kisha hasur herët në leximet e mia, si një personazh të epokës mes dy luftrave botërore të shekullit XX, por pa u ndalur gjatë dhe pa u thelluar shumë. Ndoshta kjo qasje, për shkak të informacionit të pakët dhe të dhënave sporadike që qarkullonin. Duke patur një interes të shtuar për publicistikën e viteve ‘20-’30, shkova tek historia politike e asaj periudhe duke i thelluar njohuritë për Mbretin Zog, si personazhi dominues i jetës shqiptare.

Kur lexova shkrimet e para, intervistat dhe dokumentet e pakta për Sarah Blloshmin, e vendosa atë menjëherë në kontekstin e kohës dhe kuptova se prapa emrit të saj “të zakonshëm”, fshihej një personazh i jashtëzakonshëm. Tri ishin besoj elementët që ma dhanë këtë shkëndijë, duke u bërë shtysa përfundimtare për të ekploruar më tej, derisa vendosa që të fokusohesha mbi jetën e saj, thellësisht: Fakti që kishte qenë themeluesja e një sport klub tenisi në Shqipërinë e 100 viteve më parë (1922). Së dyti, sepse shëtiste e zbuluar, me fustane të shkurtëra dhe mbante kapele e parfume të Coco Channel, të njëjta me ato të elitës së Parisit të asaj periudhe, në Shqipërinë e sapo dalë nga 5 shekujt e natës otomane.

Së fundi, ajo që i’a vuri vulën përfundimisht u bë fakti se në një telegram të 3 janarit 1926 të ambasadorit gjerman në Tiranë, Kardoff, dërguar ministrisë së tij të punëve të jashtme, raportohej se “në festën e Vitit të Ri, tek ambasadori amerikan ngjau diçka që meriton vëmendjen e të gjithë atyre që interesohen për çështje historiko-kulturore. Për herë të parë në Shqipëri, një grua myslimane vallëzoi në publik… vallëzimi i gruas në publik këtu ende dënohet me ligj (ishte në fuqi ligji islamik dhe Kanuni)… Në tre të mëngjesit, ndërsa vallëzonin të palodhura (sëbashku me të motrën) dukej se dy të zgjidhurat nga vargonjtë ende s’po bëheshin të ndërgjegjshme se shkundja e tyre e gjymtyrëve, sinjalizonte ndoshta ardhjen e një epoke të re për Shqipërinë…”

Kur fantazia mbështetet mbi ngjarje e personazhe realë, padyshim, që kërkohet hulumtim, madje faza përgatitore mund të jetë edhe më e gjatë se ajo e shkrimit. Si ka ndodhur me ju? Keni kerkuar nëpër arkiva, keni shqyrtuar dokumente?

Në momentin që kuptova përfundimisht se Sara Blloshmi ishte personazhi që me sa duket kisha kërkuar prej kohësh për ta bërë pjesë të një projekti të madh letrar, fillova punën sistematike për tëe grumbulluar të dhënat rreth saj. Duke e gjurmuar në Bibliotekën Kombëtare, duke shfletuar gazetat dhe revistat e kohës, në Arkivin Qëndror të Shtetit, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ku gjeta dosjen e saj të ndjekjes nga Sigurimi i Shtetit dhe dosjen e bashkëshortit të dytë, britanikut Robinson Guy Vandeleur. Ndërkohë, vijoja të koleksionoja gjithçka botohej për të në mediat shqiptare, për historinë e familjes së saj (si mbesa e Ismail Qemalit), në internet gjeta detaje interesante nga albanologu Robert Elsie. Në Londër rashë në gjurmët e disa të dhënave interesante për jetën e Sara Blloshmit dhe vajzës së saj, Verës të cilat pas luftës jetuan derisa në fund të jetës, në Britaninë e Madhe. Shumë studiues e historianë më kanë ndihmuar me librat, mendimet, informacionet dhe të dhënat e vlefshme për ta “vizatuar” me sa më shumë realizëm dhe për ta sjellë sa më të gjallë, atmosferën interesante të asaj epoke të jashtëzakonshme ndryshimesh në jetën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Romani është një trill i fantazisë, megjithatë, është i mbështetur në një vend dhe në një kohë të caktuar dhe s’mund të dalësh jashte kornizave të saj. Sa të vërteta historike ka “Sarah”?

“Sarah” nuk është as tekst historie dhe as një roman historik. Por, nuk është thjeshtë dhe vetëm një histori dashurie, e aq më pak letërsi rozë. Eshtë një libër i angazhuar, sa politik, aq edhe emancipimi e identiteti. Romani është një trillim i pastër artistik, i ngjizur me lëndë të parë, nga një periudhë historike reale, me personazhe realë dhe të trilluar, të vendosur në një kontekst të caktuar, për të përcjellë mesazhe universale. E thënë në mënyrë figurative, me lëndën dhe materialet e rrënojave të një kështjelle të harruar, jam munduar që të ngre një godinë moderne, sipas projeksionit tim jo vetëm për atë kohë dhe atë periudhë, por edhe për Shqipërinë e sotme dhe të ardhme.

Përtej dialogjeve të supozuar, kanë ndodhur vërtetë takimet e Ahmet Zogut me Konicën, apo me Fishten, apo debati për divorcin?

Takimi i Ahmet Zogut me Konicën ka ndodhur, në një vend dhe në një atmosferë, siç edhe përshkruhet në libër besoj. Për ç’farë është biseduar aty brenda, sigurisht që nuk dihet sepse nuk ekzistojnë dokumentat, ndaj unë e kam rindërtuar të gjithë bisedën mes tyre, sipas fantazisë sime. Imzot Noli ka deklaruar se jam gati të jap gjysmën e Shqipërisë, vetëm për të mësuar të vërtetën e asaj që është folur në atë zyrë. Një diçiturë që i shkon aq shumë atij takimi, po të kemi parasysh se Zogu dhe Konica, ishin dy njerëzit më të rëndësishëm të asaj epoke, ku njëri përfaqësonte atë pjesë të asaj Shqipërie, gjysmën tjetër të së cilës, e përfaqësonte armiku përballë. Përsa i përket takimit tjetër mes Zogut, Konicës dhe At Fishtës që përshkruhet në fund të librit, ai nuk ka ndodhur në të vërtetë.

Por, një letër me përmbajtjen e asaj bisede që unë rindërtoj në këtë takim imagjinar, për ti dhënë më shumë emocion rrëfimit, ata i’a kanë dërguar sëbashku Mbretit Zog. Ky është një fakt i njohur publik. Në letër flitet për shqetësimin në lidhje me çështjen e martesës së vonuar të Ahmet beut dhe për merakun që Mbretëresha e ardhëshme e shqiptarëve, të ishte e besimit katolik. As debati për aplikimin e divorcit në Shqipëri, siç është përshkruar në libër, nuk ka ekzistuar. Por ato mendime janë vendosur në gojën e At Fishtës janë ide të shprehura prej tij dhe citimet që bëhen në lidhje me qëndrimin e myslimanëve shqiptarë për këtë çështje, janë qëndrime zyrtare që ekzistojnë, gjithashtu.

Po raporti i Ahmet Zogut me Sara Blloshmin, ka ekzistuar vërtetë?

Nuk besoj se ekziston ndonjë dokument zyrtar që të mund të vërtetojë me prova e fakte, një raport dashurie mes një Mbreti dhe një gruaje të martuar, në cilindo vend apo epokë të historisë. Për mua, ai raport ka ekzistuar. Ajo që vërtetohet, është se Sara Blloshmi, ishte e preferuara e Mbretit, si partnere vallëzimi në ballot e Pallatit. Ishte e pashmangshme besoj unë, që Ahmet Zogu përveçse më i pushtetshmi dhe një mashkull i pashëm e beqar, që vallëzonte me gruan më të bukur të Mbretërisë që kishte mbetur e ve’ në moshën 25 vjeçare, të mos kishte një raport afeksioni me të.

Aq më tepër, kur bëhet fjalë për një grua të elitës, mendjehapur, të emancipuar, të shkolluar në perëndim, e që ishte ngritur e para kundër të gjitha rregullave dhe normave të shkruara e të pashkruara “morale” të këtij vendi. Besoj gjithashtu, se ka qenë pikërisht ky raport, që e bëri çështje kombëtare beqarinë e Ahmet Beut, që u detyrua të martohej në moshën 42-43 vjeçare në një vend ku burrat po të mos ishin të martuar deri 20 vjeç, konsideroheshin me cene. Vetëm pas kësaj, erdhi edhe martesa e dytë e Sara Blloshmit.

Ndonëse mbretëresha e Shqipërisë ka qenë Geraldina, shpirtërisht, ju zgjidhni Sarën. Pse e bëni këtë?

Eshtë një fakt i njohur historik gjithashtu, se dashuria mes Geraldinës dhe Mbretit Zog, është ngjizur pas martesës së tyre në vitin 1938. Kjo është pranuar nga vetë Mbretëresha zyrtare, në kujtimet dhe rrëfimet e saj. Besoj se është e paimagjinueshme, që deri atëherë Ahmet Zogolli, të mos e kishte patur qoftë edhe një herë të vetme mbretëreshën e zemrës së tij. Në rrethanat e krijuara pas martesës së tij, ishte shumë vonë që ai të kishte për herë të parë një mbretëreshë zemre jo gjatë viteve të arta e idilike të mbretërimit, por në mes të luftës dhe gjatë emigrimit të mallkuar që e shoqëroi deri në fund të jetës.

Botimi i një pjese nga romani juaj, për fejesën e dështuar të Enver Hoxhës me princeshën Maxhide, ka tërhequr jo pak vëmendje. Ka ekzistuar vërtetë si mundësi, mund të na e vërtetoni këtë? Jeni frymëzuar nga ndonjë thashethem apo ishte thjesht një trill për të ngacmuar lexuesin?

“Sarah” duke mos qenë as libër historie dhe as një roman historik, por një vepër letrare ju lutem, mos kërkoni që të gjeni në çdo detaj të tij, të vërtetat e pastra historike. Përsa i përket episodit të fejesës së dështuar mes Enverit dhe Princesësh Maxhide, sigurisht që ka zëra, të cilat janë botuar herë pas here në shtypin serioz shqiptar. Sipas këtyre shkrimeve, letërkëmbimin mes Enverit dhe Princesësh Maxhide e ruante kjo e fundit. Thuhet aty gjithashtu se korrespondenca mes tyre, ishin kthyer në “obsesionin e jetës së tij”, aq sa në vitet e fundit të jetës, kur Enver Hoxha e humbte vetëdijen për shkak të gjendjes shëndetësore, paskësh thënë: “Dërgoni lule tek varri i Maxhidesë!”

Tek kjo histori dashurie e pa konkluduar në fejesë, ndoshta mund të gjendet edhe njëra prej arësyeve se përse Princesha Maxhide, vendosi që ta mbyllte jetën si beqare. Kam respekt për Skënder Zogun, i cili është prononcuar në lidhje me romanin, duket ende pa e lexuar atë. Ai duket githashtu i pa informuar me detaje, se në roman nuk flitet për fejesë, por për dështimin e zyrtarizimit të saj. Nga ana tjetër, besoj se dëshmitari i vetëm gjallë i oborrit mbretëror shqiptar, ose ka qenë i vogël e nuk i mban dot mend të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur përpara rreth 80 vjetësh ose druaj shumë që hallat, të mund t’ia kenë treguar apo besuar domosdoshmërisht atij më pas, çdo brengë të jetës së tyre.

Sa keni dashur të provokoni me këtë roman?

Provokimi nuk ka qenë një qëllim në vetëvete dhe nëse ai ka ndodhur. Por duke qenë një libër i angazhuar, i cili rrok tema shumë të rëndësishme identitare, për një periudhë mjaft interesante të historisë së Shqipërisë dhe me personazhe të dorës së parë në jetën e vendit, vetëvetiu që ka sensibilitete dhe çështje që mund të provokojnë debat. Kjo është normale në letërsi përgjithësisht dhe në një roman si ky, në veçanti. E kundërta duhet të na shqetësonte.

Tashmë romani është lexuar, ç’mendime keni “vjelë”? Ka pasur ndonjë reagim “ekstrem”, nga zogistë, enveristë…?

Tirazhi i parë i prodhuar është drejt përfundimit në treg dhe interesi i jashtëzakonshëm që ka ngjallur libri, nuk e fsheh që më ka befasuar. Kjo më ka bërë që të besoj, se mundi duket se nuk më ka shkuar dëm. Kuptohet se ligjësitë e jetës së një romani, janë krejt të tjera nga ato të ciklit të jetës njerëzore, sikundër edhe të jetës së një shkrimi apo emisioni televiziv. Libri ka ende edhe shumë rrugë për të bërë, derisa të shkojë tek lexuesi, të gjykohet, të pranohet ose jo prej tij, të zë apo jo vend tek ai. Vetëm pas kësaj, do të mund të krijohet një ide edhe më e qartë, se çfarë fati do të ketë “Sarah” në të ardhmen. Përsa më përket mua personalisht, do të isha i lumtur, nëse romani do të kishte fatin e Sarës.

Nuk shoh të ketë reagime “ekstreme” nga “zogistët” apo “enveristët”. Nuk përjashtohet, që kjo apo reagime nga drejtime të tjera, të ndodhin në të ardhmen. I mirëpres dhe sigurisht që do ti shqyrtoj me interes e kujdes. Deri tani, reagimet e para të lexuesve të njohur e të panjohur, miqve, gazetarëve, intelektualëve, dashamirësve apo ekspertëve të letërsisë, kanë qenë entuziaste. Kjo është diçka që më gëzon pa masë, duke u bërë një shtysë e brendshme për ta çuar deri në fund projektin tim, për ta shpjeguar me anë të një triologjie letrare, historinë e Shqipërisë. Një projekt që nisi me Zogun, e që do të vijojë me Enverin, për tu mbyllur me një lider tjetër politik të pas 1990. Ajo që do të kenë të përbashkëta këto tri romane, do të jetë fakti se secilit lider, do mundohem që ti jap “Sarah”-n që meriton.

Comments

comments

Rreth Redaksia

Gjej gjithashtu

Historia tronditëse: 4-vjeçarja e internuar nga komunistët dhe fisnikët e Kalasë së Beratit

Nga Luljeta Progni Ishte një natë e ftohtë dhjetori kur Xhani 4-vjeçare u gjend papritur …