Fillimi / Kulture / Buzëqeshja e trishtuar e Teodor Laços

Buzëqeshja e trishtuar e Teodor Laços

Andrea Prifti

Më 1996 a 1998, i shkova në zyrë Teodor Lacos, në mos gaboj, atë vit kur ishte ministër i Kulturës. Më duhej viza për në Greqi. Vërtet ishte e vështirë atëherë, por ministri kaq mund ta bënte. Hyra në godinën famëmadhe të ishKomitetit Qendror të PPSHsë, ku ishte atëherë Ministria e Kulturës. Kalova duke e parë me bisht të syrit portierin që më shihte nga lart-poshtë pa u ndier, sikur t

a dinte se unë isha një nga ata që isha përzënë disa herë prej aty në një tjetër kohë… Tani ajo kohë kishte perënduar e nuk vija aty për të kërkuar të drejtat e mia të mohuara për shkak të biografisë, por për një vizë udhëtimi në shtetin fqinj. Nën trysninë e atyre ndjesive të rënda që më ngjallën ato ambiente hijerënda nga ku më kishin përzënë si një të “padëshiruar”, “armik të klasës”, harrova fare se me Teodorin ministër isha ndarë i

zëmëruar për probleme të politikës “së re”. Ishte koha kur PSD-ja do të tkurrej nga shkëputja e një grupimi intelektualësh që do të formonin liberaldemokratët. Teodori ishte kryetari i saj dhe ministër i Kulturës, unë nuk kisha pranuar të bëja pjesë në këtë grupim politik. Faruk Myrtaj, miku im, shkrimtar dhe gazetar, kishte filluar punë aty, në kabinetin e ministrit.

Ai më rekomandoi te ministri, pa e ditur se me Teodorin unë isha ftohur, ose Teodori kishte mbetur i pakënaqur me mua. Sapo pashë në tavolinën e punës ministrin, u stepa. A kisha të drejtë morale të kërkoja një ndihmë prej tij?! Faruku nuk priti, ia tregoi shefit të tij arsyen e ardhjes sime në atë derë. -Ky që nuk u tund nga istikami i PSD-së?! Po me ç’mend beson se unë do t’i siguroj vizën?! Teodori hoqi syzat, duke e bërë edhe më të dukshme buzëqeshjen e gjerë. Ishte ai që u ngrit e hodhi dy hapa drejt meje duke më zgjatur dorën. Them “dy hapa”, se e pashë veten jashtë zyrës së ministrit; nuk dëgjova ç’po thoshte sepse në vend të tij, m’u përhi portreti i P. Shijakut, një zyrtar i kohës që më kishte përzënë nga ajo godinë vite më parë, në motet e asaj kohe të marrë, kur kurrë të drejtën time nuk munda ta marr… Nuk iu përgjigja as Farukut që më kishte ndjekur i çuditur nga pas e seç mërmëriste i ngrysur për “budallallëkun” tim, për …

Në dimrin e atij viti, në acarin e mesnatës së shtatë janarit, u ndodha në greminat e Korfuzit, në shkëmbinjtë e Peritjas së Greqisë, ku më kishte hedhur një gomone klandestinësh, pasi kisha marrë edhe një të shtyrë me shqelma nga trafikantët në detin e tërbuar…

Dy gjëra nuk do t’i harroj nga ajo natë duke u dridhur nga të ftohtët, duke u zvarritur për t’iu ngjitur lartë- sisë, i gërvishtur e i gjakosur: Së pari, i thashë vetes se e kisha katranosur, nuk prita të mësoja vendimin e ministrit për vizën, tani shtrëngoja dhëmbët në atë gjendje të nxirosur! (“Ta kishe ulur hundën, ministri do të të kishte ndihmuar, tri ditë rresht më ka telefonuar mua të të gjeja, të të njoftoja për vizën që kërkoje”, qeshte Muhamet Sherri, aktori i ndjerë në takimin me Teodorin pas premierës së dramës “Pusi” në Fier, vite më vonë.) -Po, ç’mendove, ç’the i vetëm atje, në atë natën e zezë duke dëgjuar uturimën e detit atje poshtë? – Më pyeti Teodori pa m’i ndarë sytë. -“Rroftë liberaldemokracia”, thirra.

Ashtu si dikur heronjtë e Partisë Komuniste para pushkatimit! Tentova të tallesha unë me politikën që paskësh pasur “të drejtën” dhe “aftësinë” të më shpëtonte nga ajo sprovë përpara vdekjes! Muhameti kafshoi buzët dhe më ra me bërryl. Teodori lëvizi dhe ktheu kokën në anën tjetër. Unë nuk munda të tregoja për të dytën gjë, që nuk e harrova që nga ajo natë: Çehovi, Turgenjevi, Gollsuorthi dhe Ajhmatovi apo Çarl Dikensi kishin mbetur atje; librat e tyre, personazhet, ata që i kisha marrë me vete në aventurën time idiote! Po bëhesha gati t’ia thosha Teodorit ishministër, por ai…

-Kisha krijuar bindjen se ishe dinjitoz, siç të pashë në zyrën e Ministrisë. Kurse atje, para rrezikut…! Parimet i paske të papjekura, një hesap i bërë më parë. Më zhgënjeve!

tha. U skuqa duke ia parë nënqeshjen ironike. Në hollin e teatrit ndihej akoma muzika e dhimbshme që shoqëronte veprimin e dramës teksa buzëqeshja e Teodorit, ish-ministrit dhe politikanit, tani qe e trishtuar, me shikimin tretur diku…

A ka vallë sot, këtu, te ne, politikanë që, në thelb, mbeten njerëzorë, natyrshëm në shpirt, përpos bindjeve politike vetjake?! Tani, mbas një viti që Teodor Laço ka ikur nga kjo jetë, s’kam ç’të komunikoj tjetër mbi këtë histori, të dhimbshme për mua, veç me buzëqeshjen e tij të trishtuar dhe kujtimet e personazheve aq njerëzorë të autorëve të gremisur në ujërat e Jonit një natë të dimrit të ashpër në shkëmbinjtë e Peritjas së Korfuzit.

Po, jo, jo! Ata personazhe të letërsisë së madhe që kisha mbajtur në çantën time të shpinës, i kam në bibliotekën time: Fatmirësisht janë me qindra e mijëra, e miliona kopje librash të dashur të mi, siç janë edhe librat e Teodor Laços me personazhet plot virtyte për t’i respektuar dhe mëkate për të mos i imituar. Ato s’kanë të bëjnë kurrsesi me bindjet e politikës që ndryshon në mote, aq sa nuk ia vlen të kujtohesh për të! 14 tetor 2017.

Comments

comments

Rreth Redaksia

Gjej gjithashtu

Drama që mund t’i sjellë Denzel Washingonit një tjetër nominim për Oscar

Aktorët e famshëm, Denzel Washingon dhe Colin Farrell, si edhe regjisori Dan Gilroy, janë ekipi …