Fillimi / Aktualitet / Kronikë / Dosja X e hashashit (Të kujt janë 900 milionë euro të konfiskuara në 2014 në parajsën fiskale të Qipros?)

Dosja X e hashashit (Të kujt janë 900 milionë euro të konfiskuara në 2014 në parajsën fiskale të Qipros?)

Nga Arben Meçaj

Nuk do të desha të “ngatërrohesha” me debatin e sotëm për Hashashin, nëse nuk do të kisha një ngacmim nga një gazetar, “antiTahir” të themi.

“Në kohën e Berishës nuk pati sasi të konsiderueshme hashashi të kapur nga ne, apo fqinjët tanë! Nuk pati asnjë grup kriminal trafikantësh të denoncuar apo të asgjësuar nga organet ligjzbatuese të vendit!”, argumentoi gazetari. Ndërsa tani: Grupe kriminale, dhjetëra ton hashash të denoncuara dhe të kapura etj., etj.”

Një argument kyç i amplifikuar në kor nga aparati propagandistik “Anti RAMA” (Mirëkuptoni këtë term; aktualisht nuk ka të majtë e të djathtë, por Pro RAMA dhe Anti RAMA). Një argument me vend. Bindës, pse jo dhe i pranuar si i vërtetë, kur problemin e trajton përciptas, duke e prerë “shkurt”, pa u futur në detaje dhe pa analizuar mbi të njëjtin “KUT” ngjarjet e kohës Berisha me ato të sotme.

Ky ngacmim më intrigoi të analizoj dhe zbardh në dritën e fakteve të vërteta të cilat askush nuk duhet t’i harrojë. Të evidentoj aktorë e protagonistë të së djeshmes, personazhe që ndërsa duhej të ishin në bankën e të akuzuarve, sot mbartin flamurë të pa merituar të anti-narkotizmit. Nuk pretendoj që kjo analizë të ezaurojë ngjarjet, por gjykoj si domosdoshmëri për hapjen e një debati të shëndetshëm për pastrimin real të kësaj dreq politike nga këto figura kloune, donkishoteske, kriminale dhe dëmsjellëse në Shqipëri.

Deri më sot debatet ndërmjet palëve në sheshbetejën e hashashit janë përqendruar në argumentin se: Sasia e hashashit është shtuar në vitet e fundit. Por asnjëherë nuk i është dhënë përgjigje pyetjes: Sa ishte sasia e hashashit të prodhuar në 2010, 2011, 2013, 2014. Kush e menaxhonte prodhimin?

Kush e administronte, “eksportin“ nga Lazarati apo drejt vendeve fqinje?  Cilat ishin instrumentat dhe rrugët e “eksportit“? Cila ishte skema e shpërndarjes së “fitimit”? Kush i përvetësonte të “ardhurat”?

Pyetjet e mësipërme, natyrisht duhet të intrigojnë çdo analist, investigator apo dhe organet ligjzbatuese. Dhe pse kanë kaluar vite, aktorët  e viteve 2010-2013 janë prezentë në realitetin shqiptar. Në poste politike, në fushbetejën politike, në struktura ligjzbatuese, në rrjete kriminale. Kudo! Ata nuk u zhdukën, sepse asnjëherë nuk u evidentuan, aq më pak u goditën dhe asgjësuan. Ata u “harruan”, “fjetën”, “kaluan në inkubacion” për t’u “zgjuar” e riaktivizuar sot të ricikluar, imunizuar, agresivë, “luftëtarë” të antikorrupsinit dhe anti-narkotizmit. Sot ata janë më të rrezikshëm se kurrë më parë . E këta “monstra” minimalisht duhen demaskuar. Por jo vetëm. Ata duhet të shfarosen nga memorja, e sotmja dhe e nesërmja jonë. Gjykoj se është momenti. Sot pretendoj ta hap këte debat për ta kurorëzuar pse jo me pjesëmarrjen e të gjithëve.

1. Diçka mbi historikun e prodhimit të hashashit në Lazarat

Viti 2007 është viti kur Lazarati prezantohet me bimën e hashashit. Deri në këtë vit kjo bimë nuk ishte prezente në Lazarat.

Është viti 2008, viti kur në Lazarat fillon mbjellja intensive (por jo masive) e hashashit. Në Shqipëri, në lokale apo ambiente tavolinash fillon të diskutohet mbi bimën “made in Lazarat”. Dhe pse intensive, në këtë vit akoma hashashi nuk ishte fenomen në Lazarat.

Në fund të këtij viti (2008), në media konstatohen artikujt e parë (janë dy deri tre të tilla) që me zhanrin reportazh artikulojnë: “Lazarati, një fermë e madhe e prodhimit të hashashit”. Këto reportazhe  thjesht janë idiciet e para informuese mbi lindjen e këtij fenomeni në Lazarat. Ndërkaq, publikisht, në këtë periudhë filluan të identifikohen personat e parë me tipare kriminale dhe suport politik si kultivues, posedues dhe trafikues të lëndës narkotike hashash.

E njëjta situatë identifikohet dhe në vitin 2009, por në këtë vit për herë të pare (diku në tetor- nëntor, periudhë kur fillon tregtimi i produktit të prodhuar) konstatohen “aksione” sporadike të policisë lokale. Mediat informojnë për kapjen sporadike të sasive 150-200 kg hashash, e në një rast të trumbetuar zhurmshem 500 kg në drejtim të Greqisë. Gjithsesi dhe këtë vit Lazarati ruan trendin e 2008 me ritme modeste rritjeje.

Është viti 2010 -2011 -2012 -2013, ku Lazarati kthehet në një “Fermë Gjigande” të  prodhimit të hashashit

Në viti 2010 fillojnë prononcimet e para të funksionarëve shtetërorë. Pas dy aksioneve të dështuara (qershor-gusht 2010) në Lazarat. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Burgaj, pas dështimit të aksionit të dytë në gusht 2010, në takim me drejtuesit vendorë të policisë Gjirokastër deklaron: “Kam gjithë informacionin e duhur për përgatitjet që po fillojnë nga disa persona që po penalizojnë jo vetëm Gjirokastrën, por mbarë Shqipërinë. Veprimet e policisë do të jenë tepër të ashpra“. Po atë ditë,  gusht 2010, në opinionin publik vjen dhe deklarata e Ministrit të Brendshëm të kohës Lulzim Basha. “Ai grusht njerëzish do të ndiejë peshën e fortë të ligjit dhe do të përballen me drejtësinë në çdo ditë çdo javë në ditët dhe muajt në vijim”.  Janë dy prononcime publike, ku qartësisht evidentohet dijenia absolute e instancave shtetërore ligjzbatuese (Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit) mbi fenomenin kriminal të kultivimit masiv të Hashashit në Lazarat.

Ndërkaq, në vijim të “masave anti- hashash”, në Ujë të Ftohtë Tepelenë dhe daljen jug-lindore të Lazaratit, në mënyrë demonstrative,  vendosen postblloqe policiore 24 orëshe. Çdo automjet apo qytetar që kalonte në këto akse rrugore, i nënshtrohej kontrollit të rreptë fizik policor. (mos e nënvlerësoni dhe harroni në argument këtë fakt).

Por viti 2011 shënon vitin epokal të shpërthimit galopant të mbjelljes dhe prodhimit të hashashit në Lazarat. (Shënim ! Minister i Brendshëm ishte Lulzim Basha).  Në dijeni të tij dhe Drejtorit të Përgjithshëm, Policia e Shtetit ajo Lokale dhe Qendrore organizojnë planin operativ të policisë së shtetit për “neutralizimin dhe shpënien para ligjit” të “atij grupi njerëzish” që “do të ndiejë peshën e fortë të ligjit dhe do të përballen me drejtësinë në çdo ditë çdo javë në ditët dhe muajt në vijim”.

Rezultati: Asnjë i denoncuar; asnjë sasi e kapur; asnjë grup kriminal. Mbjellja e hashashit nga intensive u bë masive.  9 në 10 familje në Lazarat në vitin 2011 kultivonte hashashin.

Comments

comments

Rreth Redaksia

Gjej gjithashtu

Gjyqtarët deklarojnë miliona lekë cash, ligjvënësit ndajnë qëndrime të ndryshme për kufizimet ligjore

Pas mbajtjes për vite të tëra të vlerave të mëdha të parave cash nëpër shtëpi, …