Fillimi / Kryesore / Prokuroria përfshihet në debat politik me Ramën: S’na frikëson dot, mos harro rastin e Kroacisë… Përgjigjet Kryeministria

Prokuroria përfshihet në debat politik me Ramën: S’na frikëson dot, mos harro rastin e Kroacisë… Përgjigjet Kryeministria

Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila nuk ka arritur do të provojë akuzat e ngritura kundër Saimir Tahirit, ka zgjedhur të përfshihet në debat politik, për të fshehur dështimin e saj. Ajo ka reaguar pas fjalimit të Ramës, duke thënë se nuk frikësohet nga ai.

Deklarata e Prokurorisë

Prokuroria për Krime të Rënda rithekson qëndrimin e saj se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin e saj hetimor.

Prokuroria për Krime të Rënda e ka të qartë se, që në fillimet e këtij hetimi, do të përballej me goditje frontale politike, për shkak se person nën hetim është ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Por, kjo nuk e pengoi aspak që t’i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për autorizimin për arrestimin e personit nën hetim. Pasi, në vlerësimin e prokurorëve të çështjes, ekzistojnë kushtet dhe rrethanat ligjore, për të cilat është e nevojshme të merren masat që parashikon Kodi i Procedurës Penale për rastet e veprave të rënda, si ato të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë….”.

Gjithçka çfarë u deklarua publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, paraditen e së Hënës (dt. 23.10.2017) shkon në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë-Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

Në fjalën e tij, kryeministri, në cilësinë e Kryetarit të subjektit politik që ai drejton, shprehu opinionin dhe vlerësimin mbi provat e paraqitura në mënyrë sekrete nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda në Këshillin e Mandave dhe Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë.

Pra, në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj.

Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika.

Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë.

Prokuroria për Krime të Rënda është e bindur se i gjithë faktori politik shqiptar, i mbështetur edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, hartuan Reformën në Drejtësi, duke pasur si guidë të suksesshme përvojën kroate e rumune, të cilat i ndihmuan për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses.

Gjithësesi, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet e saj, si për rastin konkret, ashtu edhe për çështje të tjera të krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara kriminale. Deklaratat politike dhe, sidomos presionet indirekte me procesin e Vetingut, nuk mund dhe nuk do të mund të cënojnë proceset hetimore.

Rama i përgjigjet Prokurorisë: Jeni bërë si seli partie, që merreni me replika dhe deklarata politike

Zyra e shtypit të kryeministrit Rama, ka reaguar pas deklaratës së Prokurorisë, që replikonte me kryeministrin Edi Rama.

Në deklaratën e Kryeministrisë thuhet se Prokuroria është bërë si seli partie.

Deklarata

Kryeministri Edi Rama, shpreh keqardhjen që Prokuroria e Krimeve të Rënda, është shprehur në media menjëherë pas fjalës së tij përpara grupit socialist lidhur me kërkesën për hetim të deputetit Saimir Tahiri.

Kryeministri i Shqipërisë, mbron pikëpamjen se detyra e organit të Prokurorisë nuk është as të dëgjojë politikën, as të replikojë me politikanët, as të publikojë në media opinionet e saj, për çfarë thotë një politikan a një tjetër.

Po ashtu organi i akuzës, sipas Kryeministrit, as ka detyrën dhe as ia lejon etika e funksionit të vet të ushqejë debatet politike me komunikata që ngjajnë si të shkruara në selitë e partive politike.

Ai shpreh po ashtu keqardhjen, që organi i akuzës pretendon se ka konstatuar përpjekje për intimidim në fjalën e mbajtur sot prej tij.

Në fakt, kreu i qeverisë dhe lideri i shumicës parlamentare vetëm ka dhënë opinionin e grupit parlamentar, bazuar në raportin e Komisionit të Mandateve dhe Rregullores dhe, padyshim, në paraqitjen aspak serioze të Prokurorisë në seancat publike të atij komisioni.

Kryeministri i rikujton me këtë rast organit të Prokurorisë, se ligjvënësit nuk janë noterë të kërkesave të këtij organi, po kanë detyrimin kushtetues t’i lexojnë ato, të dëgjojnë sqarimet e përfaqësuesve të organit në fjalë dhe, padiskutim, të gjykojnë mbi to.

Prandaj ai, përsërit apelin që Prokuroria e Krimeve të Rënda të bëjë punën që i ngarkon Kushtetuta e Shqipërisë dhe legjislacioni shqiptar, dhe gjykimet mbi politikën t’ia lerë publikut.

Duke nxitur një hetim sa më të shpejtë, serioz dhe shterues për çështjen që lidhet me Saimir Tahirin, si edhe duke besuar sinqerisht se me pranimin e kërkesës së Prokurorisë nga ana e saj, shumica parlamentare i ka dhënë organit të akuzës një mbështetje të fortë për t’i shkuar deri në fund hetimit, Kryeministri i Shqiperisë i uron këtij organi punë të mbarë.​

Comments

comments

Rreth Redaksia

Gjej gjithashtu

“Der Standard” jep alarmin: Serbia dhe Shqipëria po luajnë me kufijtë në Ballkan

Gazeta austriake shkruan se presidenti serb Aleksandar Vuçic dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po …