Fillimi / Ekonomi / Qeveria ndryshon mendje, ia heq fondet Akademisë së Shkencave

Qeveria ndryshon mendje, ia heq fondet Akademisë së Shkencave

Qeveria ka vendosur dje që të mos i akordojë asnjë fond Akademisë së Shkencave. Mësohet se vendimi është marrë dje në mbledhjen e qeverisë, ndërsa projektbuxheti, tashmë, ndodhet në Parlament ku pritet të nisë procedurën parlamentare të diskutimit në komisione.

Në shkrimin e djeshëm, gazeta “Panorama”, përveç mosdekretimit të kryetarit të ri të Akademisë nga Presidenti Meta, solli në vëmendje dhe deklaratat e Kryeministrit Rama për t’i prerë fondet buxhetore Akademisë nëse ajo nuk reformohet.

Por në vëzhgimin e gazetës, rezultonte se edhe pse Kryeministri kishte bërë këtë deklaratë më 4 shtator, pas denoncimit si farsë të procesit zgjedhor për kreun e Akademisë, qeveria në projektbuxhetin e saj për vitin 2018, i kishte akorduar të njëjtin fond Akademisë së Shkencave, si edhe një vit më parë. Duket se shkrimi i gazetës vuri në alarm qeverinë për të korrektuar buxhetin për Akademisë, sipas deklaratës së bërë nga Kryeministri Rama.

Burime nga qeveria pohuan se kishte qenë një lapsus burokratik akordimi i fondit për Akademinë e Shkencave, ndërsa ndërhyrja pritet të bëhet në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, përmes një propozimi nga një grup deputetësh për ta lënë Akademinë e Shkencave pa fonde, duke i kthyer akademikët në funksion honorifik, ndërsa administratën e saj të papunë, ose me vetadministrim.

Kjo është hera e parë në historinë e Akademisë së Shkencave që mbetet pa financim nga shtetit, ndërsa qeveria ka vendosur që fondet e saj t’u kalojnë universiteteve publike për të fuqizuar kërkimin shkencor.

Më 4 shtator të këtij viti, Gudar Beqiraj u zgjodh kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me 28 vota pro dhe 3 kundër. Ndërkohë, me 27 vota pro, Myzafer Korkuti u zgjodh nënkryetar i Akademisë së Shkencave.

Por pas debatit të ndezur për mënyrën se si u zhvilluan këto zgjedhje, Korkuti dha dorëheqjen. Pas profesor Artan Fugës, i cili e cilësoi farsë procesin zgjedhor për drejtimin e Akademisë, ishte Kryeministri Rama që bëri deklarata të fortë ndaj drejtuesve të këtij institucioni. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Edi Rama paralajmëroi se,

“Nëse nuk reformohet, Akademia e Shkencave nuk do të marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të dorëzojë godinën! Prandaj, stop farsës”.

Por pas zgjedhjes së Gudar Beqirajt, në një reagim të dytë, Kryeministri tha se “Akademia zgjodhi farsën, ndaj do t’i hiqen fondet dhe ato do t’i shkojnë universitetit për kërkimet shkencore”. Debati mori përmasa politike kur Kryeministrit Rama iu përgjigjën partitë opozitare. Partia Demokratike, përmes deputetit të saj Luçiano Boçi, akuzoi drejtpërdrejt Ramën për mënyrën se si është “katandisur” ky institucion.

Edhe LSI-ja, përmes kreut të deputetëve Petrit Vasili, akuzoi Kryeministrin se e konceptoi debatin vetëm te godina e Akademisë dhe paratë, pa shfaqur asnjë vizion se si duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm i shkencës në vend. /Panorama/

Comments

comments

Rreth Redaksia

Gjej gjithashtu

Grupi Balfin investon 180 milion euro në Maqedoni në projektin më të ri Skopje East Gate

Grupi Balfin njofton blerjen nëpërmjet kompanisë së krijuar rishtazi në Maqedoni, Skopje East Gate, të …