Fillimi / Sport / Trajneri i parë i Strakoshës: Shkonte në stërvitje përpara të gjithëve, qante kur bënte gabim

Trajneri i parë i Strakoshës: Shkonte në stërvitje përpara të gjithëve, qante kur bënte gabim

“Thomasi paraqitej në qendrën stërvitore edhe më herët sesa magazinierët e klubit. Shpesh e shihja të priste përpara kangjellave sa të vinte dikush të hapte dyert. Çdo ditë e njëjta rutinë, palestër, stërvitje, drekë. Më pas, përsëri palestër, darkë dhe gjumë shumë herët”.

Nis kështu rrëfimi i Kristian Ferrantes, trajneri i parë i portierit shqiptar në kohët e ekipit të të rinjve të Lacios, që stërvit Strakoshën për dy vjet. Ende pa mbushur 17 vjeç, i transferuar nga një ambient modest si Panioniosi në një botë krejt të re si kryeqyteti italian. Përkrahja e familjes, këshillat e babait dhe Igli Tares ishin të vetmet mbështetje për një adoleshent në ndjekje të ëndrrës së madhe.

Ferrante, teksa flet për 22-vjeçarin e Lacios, sqaron: “Në 20:00 flinte dhe po aq herët zgjohej në mëngjes. Në orën 9 ishte në fushë përpara të gjithëve. Adoleshenca e lënë mënjanë dhe një djalosh korrekt në marrëdhënie me shokët dhe stafin. Edhe kur mblidheshim për darka gjithmonë vinte me kënaqësi, por largohej po herët sepse duhej të stërvitej”.

Karakter dhe mendësi – Kërkues ndaj vetes dhe maniak i detajeve, Strakosha, ende pjesë e të rinjve, i kishte idetë e qarta. Që në moshën 5-vjeçare ka nisur të punojë për të arritur aty ku është, gjithmonë në kërkim të përmirësimit. Në lidhje me provimin e parë të Strakoshës, Ferrante rrëfen kujtimet e tij:

“Kur e kam parë për herë të parë, mbaj mend një djalosh fizik, por që kishte shumë vështirësi nga pikëpamja teknike dhe motive. Drejtori sportiv Tare e donte si djalin e tij dhe më kërkoi ta shihja me vëmendje, pasi ishte mik i të atit”. Thomasi ishte i vetëm përballë vështirë- sive, por kjo nuk e ndaloi, sidomos në muajt e parë në Romë kur shumicën e kohës ishte vetëm.

Koha nxori në pah vlerat e djaloshit shqiptar të lindur në Greqi, ku i ati bënte karrierë si portier. Siç sqaron Ferrante: “Skepticizmi ishte i madh, por ai sot është kryevepra e portierëve të Lacios dhe Inzagit. Prova e arritjes së tij duhet të kërkohet në minutën e 97 të sfidës Juventus-Lacio”.

Te yjet përmes vështirësive – “Ndodhi pikërisht kështu. Vetëmohimi i tij bëri diferencën, por në fillim ishte shumë e vështirë. Në fundin e periudhës së provës fola me Taren dhe vendosëm që ta mbanim në ekip, pavarësisht se kishim portierë të niveleve të larta. Ishte një punëtor i madh dhe kjo gjë më bindi që ta merrja.

Kishte dëshirë të madhe të demonstronte vlerat e tij për të shkuar sa më lart. Dinte vetëm të punonte. Dukej sikur jetonte në qendrën stërvitore të Lacios. Vinte i pari në stërvitje, ndërsa pas disa kohësh i dhamë çelësat që të stërvitej vetëm. Stërvitej me mua disa orë paradite dhe nuk shkonte në shkollë si të tjerët. Pastaj pas stërvitjes thoshte sërish të njëjtën gjë me shokët e tij. Vazhdojmë mister, stërvitemi sërish.

Punonte nga 8 orë në ditë, sepse kishte shumë dëshirë për t’u përmirësuar”, tregon Kristian Ferrante. Debutimi nuk po vinte ende. “Në vitin e parë kishte vështirësi dhe nuk luajti për 4-5 muaj. Pastaj e aktivizuam për të kuptuar edhe përmirësimin e tij. Ishte një lojtar që u kushtonte rëndësi detajeve. Shkonte në shtrat shumë shpejt, sepse të nesërmen ishte stërvitja”, vazhdon ai. Ëndrrat kushtojnë shtrenjtë. Sa shumë rrugë për të bërë deri te titulli i parë me Bolinin në vitin 2013, apo deri te Kupa e Italisë me Inzagin. “Kujtoj debutimin e tij me ekipin e të rinjve.

Sa shumë skeptikë kishte përreth. Por, ai tani ishte rritur dhe kishte shumë besim në vetvete. Qante në gabimet e para që bënte dhe i përjetonte shumë keq. Çështje karakteri”, vijon rrëfimi i portierit italian. Për të kaluar te penalltia që i priti Dibalës. “E kishte studiuar se si do të godiste.

Përulësia? Meritë e familjes së tij dhe babait Foto. Mund të ishte një pengesë për rritjen e tij, por rezultoi një pikë e fortë. Tani është një lojtar i kompletuar. Inzagi ishte i zoti që e bëri lider, ndërsa ai e pagoi besimin e trajnerit. Kur luajti me Salernitanën pati disa vështirësi për t’u ambientuar, por tani u rikthye Thomasi që njohim. Ai i turpshmi… Është një njeri që ka nevojë për kohë për t’u ambientuar gradualisht dhe për t’u bërë lojtar i madh. T

are e njeh mirë dhe prandaj e ingranoi ngadalë në ekipin e parë. Forca e tij është qetësia. Mjafton të shihni pritjen që i bëri Higuainit”, tha Ferrante. Kristian qesh dhe kujton vitet dhe kohën kur e stërviste dhe tani është në kërkim të “Strakoshave” të tjerë, por Thomasi i tij mbetet unik. “Për të isha si një baba.

Paradite punonim vetëm. Unë dhe ai. Kam ruajtur raport të shkëlqyer me atë, si një djalë me babanë. Është një shembull për të gjithë”, përfundoi ai. Ta mendosh që pesë vite më parë ishte thjesht për provë, larg familjes së tij. Hiqte dorë nga darkat me shokët, sepse në mëngjes duhet të stërvitej. Sot është titullar dhe po shijon momentin… Ndoshta sot, mund të vijë edhe më vonë se magazinierët.

Comments

comments

Rreth Redaksia

Gjej gjithashtu

Casillas në Premierligë

Iker Casillas gjatë janarit pritet të transferohet në Premierligë. E ardhmja e portierit spanjoll, Iker …