Fillimi / Jete / Dossier / Viti 1916/ Kur Esat Pashë Toptani u detyrua të largohet nga Shqipëria nëpërmjet portit të Durrësit, sëbashku me trupat serbe

Viti 1916/ Kur Esat Pashë Toptani u detyrua të largohet nga Shqipëria nëpërmjet portit të Durrësit, sëbashku me trupat serbe

Lufta e Parë Botërore. Në vitin 1916 Esat Pashë Toptani detyrohet të largohet nga Shqipëria nëpërmjet potit të Durrësit së bashku me trupat serbë, duke u imbarkuar në një anije italiane.

Në vend të komentit tim, kam përkthyer një fragment nga libri i historianit serb Dushan Batakoviç (Dusan T. Batakovic) “Serbian Government and Essad Pasha Toptani” (Qeveria serbe dhe Esat Pashë Toptani):

“Tërheqja e ushtrisë serbe në Shqipëri në fund të 1915 dhe në fillim të 1916 e vunë aleancën e Esad Pashës para një prove serioze. Në rajonet ku nuk shtrihej autoriteti i tij, veçanërisht në pjesët veriore të vendit mes fiseve katolike, trupat serbë u detyruan të ndërronin rrugën deri në portet e Adriatikut, ku po i prisnin anije aleate. Xhandarmëria e Esad Pashës ndihmoi ushtrinë serbe, siguroi korridore të sigurta, strehim dhe ushqim, dhe u angazhua në perleshje me çeta shqiptare që sulmuan trupat serbë dhe vodhën refugjatët e paarmatosur. Esad Pasha nxori një shpallje të veçantë duke u bërë thirrje shqiptarëve të ndihmonin ushtrinë serbe dhe informoi komandantët ushtarakë mbi avancimin e forcave të armikut, lindjen e çetave rebel dhe disponimin e fiseve të veçanta.

“Golgota shqiptare” ishte gjyqi më i madh ushtarak i popullit serb. Nga 220.000 ushtarë që kaluan përmes Shqipërisë në drejtim të Korfuzit dhe Bizertës, vetëm 150.000 arritën në destinacion, nga rreth 200.000 refugjatë të shpërndarë nëpër shkrepat dhe kënetat e bregdetit shqiptar mezi një e treta (60.000 persona) i shpëtoi vdekjes. Humbjet e Serbisë do të kishin qenë shumë më të rënda sikur të mos ishte Esad Pasha dhe pasuesit e tij gjatë tërheqjes dhe të hipjes në anije.

Gjatë tërheqjes Esad Pasha mbajti kontakte me qeverinë serbe. Ai refuzoi propozimet e Pashiçit për të shpallur paktin e tij me qeverinë serbe dhe për të pranuar zyrtarë serbë në administratën e tij, duke shpjeguar se armiqtë e tij ishin gjithmonë gati ta quanin Esadoviç për shkak të aleancës së tij me Serbinë. Ai donte që aleatët ta garantonin se Italia nuk do të pushtonte të gjithë Shqipërinë pas tërheqjes së ushtrisë serbe. Duke e kuptuar se trupat austro-hungarezë së shpejti do të merrnin Durrësin, Esad Pasha i propozoi Pashiçit që të transportohej drejt Korfuzit me qeverinë dhe xhandarmërinë e tij, në mënyrë që të ishte në gjendje, kur të fillonte ofensiva aleate, të zinte pozicione në krahun e majtë të ushtrisë serbe dhe të operonte në drejtim të Shqipërisë. Me kërkesë të diplomacisë italiane, Esad Pasha dhe disa qindra xhandarë kaluan në fund të shkurtit të vitit 1916 në Brindizi, të shoqëruar nga i ngarkuari me punë i Serbisë. Para largimit, ai u shpalli luftë Fuqive Qendrore, duke marrë mbi vete përgjegjësinë e plotë për bashkëpunimin e tij me Serbinë dhe Fuqisë e Antantës.

Me gjithë premtimet se do të njihej si princ shqiptar, dhe i ballafaquar me përpjekjet e hapura të qeverisë italiane për të ushtruar ndikim të plotë mbi atë, Esad Pasha vazhdoi rrugën për në Francë për të kërkuar mbështetjen nga diplomacia aleate. Qarqet politike në Paris e pranuan si kryeministër të një qeverie legjitime. Ekspertët ushtarakë vlerësonin se Shqipëria ishte rezervat ushtarësh të mirë që mund të ishin në krahë të aleatëve vetëm në saj të Esad Pashës. Në fund të gushtit Esad Pasha arriti në Selanik me një anije franceze. Me ndërmjetësimin e diplomacive serbe dhe greke, qeveria e tij fitoi statusin e një kabineti të aleancës në mërgim. Kampi i Esad Pashës prej 1.000 xhandarësh dhe pasuesish nën komandën e oficerëve shqiptarë, ndodhej në fushëbetejën e Selanikut. I vendosur në pozicione përballë Shqipërisë, ai vepronte në përbërje të armatës franceze lindore. Sipas objektivave të Pashiçit, kampi i tij duhej të vepronte i përzier me trupat serbe drejt Kosovës dhe Shqipërisë së Veriut.

Gjatë punës në Selanik, Esad Pasha u përpoq vazhdimisht të siguronte premtime të prera nga Franca dhe Britania e Madhe që kur lufta të mbaronte, sundimi mbi Shqipërinë nuk do t’i jepej Italisë, dhe se ai do të lejohej të rivendoste administratën e tij në vend. Në fund të vitit 1916 Korça u shpall republikë autonome, nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze, dhe pushteti iu dha liberalëve vendas. Esad Pasha u ankua te Pashiçi për veprimet e komandës ushtarake franceze, dhe paralajmëroi për një rrjet intrigash italiane, duke theksuar se ai e kishte lidhur fatin e tij me Serbinë. Ai kishte frikë se trupat italiane në Gjirokastër po përgatitnin atentat. Por gjenerali Ferrero Giazzinto shpalli shtetin e Shqipërisë, në fillim të qershorit 1917, nën protektoratin italian.”/Thanas Mustaqi/

Comments

comments

Rreth Redaksia

Gjej gjithashtu

Historia tronditëse: 4-vjeçarja e internuar nga komunistët dhe fisnikët e Kalasë së Beratit

Nga Luljeta Progni Ishte një natë e ftohtë dhjetori kur Xhani 4-vjeçare u gjend papritur …